Zhegrova në formacionin e javës në Superligën zvicerane, pas paraqitjes brilante ndaj liderit

Edon Zhegrova është votuar në formacionin më të mirë të javës në Superligën e Zvicrës, pas një paraqitjeje të shkëlqyer duke shënuar një gol dhe një asist në fitoren e Baselit 3:0 kundër Young Boys të dielën.

Në vetëm paraqitjen e tij të katërt si titullar deri tani këtë sezon në të gjitha garat për Baselin, anësori i Kombëtares së Kosovës Zhegrova u përcoll me duartrokitje të pandërprera nga tifozët e vet kur u zëvendësua në minutën e 76-të.

Asisti i bukur për golin hapës të Baselit dhe më pas goli i tretë i shënuar në stilit të Leo Messit, i cili e fundosi liderin e ligës, si dhe driblimet spektakolare, ishin të mjaftueshme për Zhegrovën të shpallej lojtari i ndeshjes më të madhe në ligën elitare zvicerane.

Një ditë më vonë, 20-vjeçari ka zënë vend edhe në 11-shën më të mirë të kësaj jave në Superligë.

Baseli në fakt i ka katër futbollistë në formacionin e javës.

Kosovarit i mbaron marrëveshja e huazimit në Basel nga Genku në fund të këtij sezoni. Por ai dëshiron të vazhdojë me Baselin.

“Unë përpiqem t’i shfaq aftësitë e mia dhe t’i ofroj diçka publikut”, tha Zhegrova.

Ai më pas premtoi: “Unë mund të tregoj edhe më shumë”.

Pas ndeshjes, kosovari e shfaqi tërbimin që e kishte ndier si pasojë e refuzimit të Rusisë për ta lënë të futet në vend me pasaportë kosovare për ndeshjen e Baselit kundër Krasnodar.

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*