Veteranët thonë se arrestimet s’ua kanë ndryshuar mendjen për publikimin e dosjeve, Klinaku ka një paralajmërim

Sekretari i OVL’së, Faton Klinaku, që po e udhëheq organizatën e veteranëve në mungesë të dy krerëve të saj, ka thënë për Gazetën Express se do t’i publikojë të gjitha materialet që do t’i sjellë “Rrufeja”, i cili sipas tij, herën e fundit kur ishte në zyrat e veteranëve, ka paralajmëruar se do të vijë sërish.

Askush nuk e di me siguri nëse do të ketë apo jo arrestime të tjera të urdhëruara nga Tribunali Special, siç ishin ato të kryetarit të OLV’së së UÇK’së, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinajt të premten e kaluar. Por, kjo çështje duket se është edhe në dorë të “Rrufesë”, personit të maskuar që tri herë radhazi çoi dosje të Speciales në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Klinaku thotë se as pas arrestimeve të dy krerëve të organizatës, nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij: Do të publikojë ckado që ju vjen nga “Rrufeja”.

“Qëndrimi im – që e udhëheq organizatën – është i njëjtë: çkado që na bjen, ne do t’i paraqesim qysh i kemi paraqitë deri tash”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se po planifikon ta thërras një mbledhje të Këshillit Drejtues të OVL’së për ta diskutuar edhe këtë.

Veprimet e radhës të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Klinaku ka thënë se nuk do të varen aspak nga avokati Tomë Gashi, që ata e kanë angazhuar për t’i mbrojtur juridikisht.

“Momentalisht qëndrimi i organizatës është i njëjtë. Do të ulemi, do ta thërras edhe Këshillin Drejtues. Por organizatën e veteranëve e përfaqësoj unë. Tomë Gashi e përfaqëson vetëm juridikisht, për qëndrime jam unë që më ka mandatu organizata”, ka thënë Klinaku.

Avokati Tomë Gashi ka treguar sot se gjykatësi i Speciales, Nicolas Guillou, me kërkesë të prokurorit Jack Smith, i kanë dërguar atij një e-mail, përmes së cilit thotë se i kanë kërkuar ta informojë Zyrën e Prokurorit të Specializuar nëse merr ndonjë dokument apo informacion konfidencial të Tribunalit Special.

Këtë e-mail, Klinaku e cilëson si mënyrë joserioze për një gjykatë.

“Është joserioze me i dërgu shkresat ashtu përmes e-mail’it”, ka thënë ai.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK’së Hysni Gucati, sot u paraqit në seancën e parë gjyqësore ndaj tij në Dhomat e Specializuara. Me propozim të tij, personi i cili tri herë me radhë solli dosje të Sepciales në OVL, ishte quajtur “Rrufeja”.

Para dy ditësh, Faton Klinaku në DPT Te Fidani në T7 ka thënë se nënkryetari OVL të UÇK’së, Nasim Haradinaj ka propozuar që CD’të, të cilat “Rrufeja” thuhet se ka paralajmëruar se do t’i sjellë në vizitën e ardhshme, të quhen “pjata fluturuese”.

Ai ka thënë se nuk brengoset nëse do Specialja do ta urdhërojë edhe arrestimin e tij.

“Nëse arrestohem unë, vazhdon punën tjetri”, kishte thënë Klinaku, i cili dje ka njoftuar se ka marrë një thirrje nga Specialja për t’u paraqitur në zyrat e EULEX’it, gjë të cilën tha se nuk do ta bëjë vullnetarisht.

Ndërkohë Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj i kanë përfunduar paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara. Ata kanë pasur vërejtje për mënyrën dhe arsyen e arrestimit të tyre, të cilat ia kanë shprehur edhe gjykatësit Nicolas Guillou.

Shpërndaje

Comments are closed.