URIME AKTORËVE! URIME REGJIZORIT! SUKSESE TEATRIT!!

Shkruan:Armir Shkurti

“Një kryeministër i pandehur”.
Intrigues si titull! Vjen era gjyq. “I pandehur” përdoret pikërisht në gjyq. Është njeriu që gjykohet për një krim. Deri në çastin kur provohet krimi i pandehuri konsiderohet i pafajshëm.

Pra Edi Rama i pandehur! Për ç’krim? Ngjarja e ditës është shembja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar? Aty ku – sipas Veliajt – komunizmi ka bërë gjyqe politike? Atëhere ky gjyq ndaj kryeministrit le të bëhet në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Sallë e rikonstruktuar “falë vullnetit të kryeministrit” dhe që, për simetri, po nis me një gjyq politik ndaj të pandehurit kryeministër.

Është stili i Ramës kryekëput kjo skemë. Për të na thënë se “po më gjykoni se kam ndërtuar mrekullira si kjo sallë e re e Operas dhe se më të bukur akoma do bëj Teatrin”?

Nuk është keq si PR për Ramën. As si imazh për Ramën. Keq është për aktorët që morën pjesë në këtë skeç! Nëse do të kishin pas qenë aktorë të veshur si gjykatës a prokurorë, edhe pse gjetja është bajate, nuk do të kish patur ndonjë zarar.

Por kur gazetarë e analistë pranojnë të hyjnë në rol gazetar – prokurori, gazetar – gjykatësi dhe të pranojnë degjenerimin e gazetarisë në show për nder të kryeministrit, ky po që është dëm. Salla e TKOB nuk është e televizionit që bëri emisionin aty por e shtetit. Pra, gazetarët e analistët nuk ftuan kryeministrin. Kryeministri i ftoi! Sipas çdo rregulli në botë, i zoti i shtëpisë fton, jo mysafiri! E shpjegoj: Në studiot e TV zot shtëpie është drejtuesi i emisionit. Në sallën e Operas është Edi Rama DHE ATA ISHIN TË FTUARIT E TIJ. Por jo për të pirë një gotë. Ishin ftuar të PËRURONIN SKENËN e re. Pra si çingije që do argëtonin Edi Ramën me performancën e një gjyqi karagjoz. Gjithë mllefin e akuzat e një populli të tërë po i interpretonin aktorët e veshur si gazetarë në rol prokurori e gjykatësi…

Është dëm sepse kjo shfaqje mediokre estrade, për të promovuar “veprën” e Ramës është manifestim i nënshtrimit të zellshëm të gazetarëve e analistëve që pranuan të luajnë vetveten në rolet që u caktoi Rama. Shih pak! Ata në skenë e AI në mes të sallës. Si regjisori në prova. Skena përfaqëson SHFAQJEN, LOJËN, ndërsa salla PUBLIKUN. Shih në foto pak. Publiku është AI. Dhe ATA të shfaqjes kanë marrë të pandehur ATË!

Çfardo të thuhet, çfardo të akuzohet, ËSHTË LOJË NË SKENË! Çfardo të pyesin e të replikojnë ata që janë në skenë nuk ka vlerë sepse PO LUAJNË TEATËR, janë jashtë tempullit të tyre, studios.

Urime dhe suksese këtyre analistëve e/a gazetarëve në udhën e re e të bukur të aktrimit dhe gjithashtu, suksese në detyrën fisnike të shërbimit me vetmohim ndaj kryeministrit!

Shpërndaje

Comments are closed.