Trump thotë se nuk mban përgjegjësi për sulmin ndaj Kapitolit

Presidenti Donald Trump nuk mori përgjegjësi lidhur me rolin e tij në nxitjen e protestave të dhunshme në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara javën e kaluar.

Duke folur me gazetarët përpara se të udhëtonte në Teksas sot paradite, zoti Trump tha se fjalët e tij para mbështetësve javën e kaluar ishin “plotësisht të përshtatshme”.
Disa minuta para se përkrahësit e tij të sulmonin Kapitolin, zoti Trump i inkurajoi ata të marshonin drejt ndërtesës së Kongresit, ku ligjvënësit po numëronin votat e Kolegjit Zgjedhor për të konfirmuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Presidenti Trump, për muaj me radhë, kishte pretenduar në mënyrë të pasaktë se zgjedhjet e nëntorit ishin manipuluar, pavarësisht nga përfundimet e administratës së tij për të kundërtën.

Ndërsa protestuesit ishin ende në Kapitol, Trump lëshoi një video që dukej se i justifikonte ngjarjet, duke thënë për protestuesit: “Ju duam. Jeni shumë të veçantë.”

Një oficer policie i Kapitolit vdiq nga plagët e marra gjatë veprimeve të dhunshme dhe policia qëlloi një grua gjatë përpjekjeve për të frenuar turmën. Tre persona të tjerë vdiqën në ato që autoritetet thanë se ishin urgjenca mjekësore.

Shpërndaje