A do të ketë edhe nesër dron në stadiumin e Beogradit? Arrestohen tre shqiptarë në Serbi

Në pikë kalimin kufitar në Preshevë, policia dhe doganierët serbë kanë ndaluar tre shqiptarë.

Ndalesa ndaj tyre është bërë pasi në veturë iu është gjetur një dron, transmeton lajmi.net.

Siç raporton ‘Novosti’, ata nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm për dronin.

Shtetasit shqiptarë kanë thënë se ata po kalonin për në Serbi për shkak të detyrimeve biznesore.

Mirëpo, si duket droni i ka shtyrë serbët të marrin masa pasi nesër ekipi shqiptar Skënderbeu do të luaj në Beograd me atë të Partizanit në kuadër të Ligës së Evropës.

Vlen të theksohet se tre vite më parë bëri bujë droni me flamurin e ‘Shqipërisë së Madhe’ i cili u lëshua në stadiumin e Beogradit në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2016” ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.

Kjo pati shkaktuar reagime të ashpra në stadium, duke bërë që huliganët serbë të futën në fushë dhe t’i sulmojnë futbollistët e Shqipërisë.

Shpërndaje