S’ka më gjallëri

Shkruan: Selim Tahiri

S’ka më gjallëri

Një fshat të bukur sot retë e mbuluan,
Shiu i pranverës rrugët po ia lanë.
Një nënë, në oborr, doli e hutuar,
Ku i shkuan djemtë, pse vetëm e lanë?

Shikimin e hodhi lartë, tek Maja e Bajrakut.
Atje ku ende bora shkëlqen si flori.
Pse djemtë asaj nuk i dolën hakut?
Shtëpinë ia lanë shkretë, pa asnjë fëmijë!

Duart me rrudha iu drodhën
U mbështetë ngadalë tek një qershi.
Nipat e mbesat, para syve i dolën
Lotët i rrodhën lumë, e s’pat kush t’ia fshijë.

Ngadalë, qetë po bie sot ky shi,
Dy lumenjtë e fshatit dhembshëm po gurgullojnë
Në këtë vend të bukur s’ka më gjallëri
Djem e vajza në gurbet po shkojnë.

Pse duhet të vuajmë kaq shumë?
Pse nuk po e gëzojmë të shtrenjtën liri?
Shiu me lotët u bënë si lumë
Po e qajnë Kosovën që mbet pa rini.

09.04.2019

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*