Shuma financiare dhe materiale që ndanë vendet e Ballkanit Perëndimor pas tërmetit në Shqipëri

Të paktën 41 persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë plagosur nga tërmetet që e goditën Shqipërinë në dy ditët e shkuara, përderisa bilanci i viktimave vetëm sa shkon e rëndohet.

Qindra persona kanë kaluar natën e dytë mes rrënojave, nëpër tenda apo vetura, pas tërmetit me magnitudë 6.4, njëherësh më i fuqishmi në dekada që goditi Shqipërinë në orët e para të 26 nëntorit, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Tiranës.

Ekipet e shpëtimit nga më shumë se 10 shtete u janë bashkuar ekipeve të Shqipërisë më 27 nëntor, për të kërkuar personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Shumica e viktimave janë shkaktuar në qytetin e Durrësit dhe qytezën Thumanë.

Lidhur me këtë, Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro ndihmë, ndërsa Komuna e Prishtinës dhe Mitrovicës së Jugut së bashku kanë ndarë 70 mijë euro. Nga Kosova, mbi 200 tonelata ushqime dhe prodhime sanitare dhe mbi një mijë dyshekë kanë arritur në Shqipëri.

Qytetarët në qendër të Prishtinës vazhdojnë të mbledhin ndihma.

Ndërsa, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë 100 mijë euro. Ekipe me 42 pjesëtarë të forcave për mbrojtje dhe shpëtim nga ky vend janë në Shqipëri.

Kryqi i Kuq në Shqipëri ka thënë se rreth 2,500 persona janë zhvendosur. Si pasojë e kësaj situate, Shqipëria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Shqipërisë ka bërë të ditur se vendi është goditur nga 523 lëkundje të tokës që nga goditja e madhe e mëngjesit të së martës. /REL

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*