Shefat e Apple, Amazon, Facebook dhe Google dëshmojnë në Kongresin amerikan

Shefat ekzekutivë të katër kompanive më të mëdha teknologjike të botës Apple, Amazon, Facebook dhe Google dëshmojnë të mërkurën përpara komisionit juridik të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me fuqinë e konsiderueshme që ato kanë mbi tregun.

Seanca zhvillohet ndërkohë që rregullatorët amerikanë po shqyrtojnë nëse gjigandët e teknologjisë, përmes mbizotërimit në disa tregje, po mbysin konkurrencën dhe po shkelin ligjet anti-trust.
Këto kompani kontrollojnë hapësirën dixhitale ku miliona njerëz në botë kalojnë kohën e tyre, bëjnë blerje, punojnë, apo flasin me miqtë dhe njerëzit e afërt.

Vëllimi vjetor i shitjeve të këtyre firmave të marra së bashku është pothuajse sa prodhimi i brendshëm i përgjithshëm i Arabisë Saudite.

Krerët e kompanive do të pyeten nga ligjvënës të të dyja partive, të cilët prej një viti po hetojnë rreth çështjeve të konkurrencës në këtë fushë.

Raporti i komisionit pritet në fund të kësaj vere, por pyetjet e ligjvënësve mund të nxjerrin në pah planet e tyre se çfarë hapash mund të ndërmarrin për të ardhmen.

Shpërndaje

Comments are closed.