Rick Perry do të largohet nga pozita e Sekretarit amerikan për Energji

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Sekretari amerikan për Energji, Rick Perry, një figurë e rëndësishme në bisedimet e Trumpit me zyrtarë të Ukrainës, do të largohet nga pozita që mban në fund të vitit.

Teksa ka bërë këtë njoftim, Trump ka thënë se ai do ta nominojë pasardhësin e Perryt shumë shpejt. Ai ka thënë se tashmë ka gjetur personin që do ta emërojë.

“Ne tashmë kemi zëvendësimin e tij. Rick ka bërë një punë fantastike. Mirëpo ka qenë koha”, ka thënë Trump.

Ky njoftim ka konfirmuar raportimet e fundit në media se Perry do të largohet nga pozita që ka në një të ardhme të afërt.

Një zyrtar ka thënë se Perry ka qenë me presidentin kur ai ka bërë të ditur lajmin, teksa janë nisur në Teksas, prej edhe nga është Rick, në një takim me përkrahës të republikanëve.

Administrata amerikane deri më tani ka bërë një varg ndryshimesh të figurave të larta qeveritare gjatë presidencës Trump, që ka nisur në janar të vitit 2017.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve i kanë nisur Perryt një kërkesë për intervistim, në kuadër të hetimeve që po kryejnë për shkarkim të presidentit Trump.

Atij do t’i kërkohet të sqarojë përfshirjen në bisedën mes Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy më 25 korrik.

Trump ka thënë se Perry e ka shtyrë atë ta realizojë thirrjen, në të cilën presidenti i ka kërkuar homologut ukrainas të hetojë rivalin demokrat, Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter, i cili ka qenë në bord të një kompanie të gazit në Ukrainë.

Perry, ish-guvernator nga Teksasi, është përballur me Trumpin në fazën e parë të garës për president më 2016.

Ai më parë ka mohuar raportimet se planifikon të japë dorëheqje në muajin nëntor.

Hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve mund të rezultojnë me gjykim në Senat rreth asaj nëse Trump duhet të largohet nga zyra e presidentit.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.

Deri më tash, asnjë president nuk është shkarkuar përmes këtij procesi.

Aktualisht demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve derisa republikanët e partisë prej nga është edhe Trump kontrollojnë Senatin.

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*