Regjisorja suedeze e shokuar me shkrimet e Insajderit

Caroline Troedsson, regjisorja e filmit dokumentar “Autostrada Patriotike” i ka shkruar redaksisë së Pa Rrotlla duke shprehur shqetësimin dhe zhgënjimin e saj ndaj publikimit të një klipi të dokumentarit nga portali Insajderi.
Në letrën e saj ajo shkruan:

“Jam shumë e trishtuar të shoh rrëmujën e krijuar përreth Milaimit, pas publikimit nga Insajderi të një klipi mga filmi im. Dua të të shkruaj se kjo është dicka që nuk na përfaqëson. Ata (Insajderi) e kanë marrë klipin nga SVT (Radio televizioni publik i Suedisë) pa leje dhe avokatët e SVT-së janë duke u marrë me këtë çështje.
Avokatët janë njëra anë, por unë jam shumë e prekur emocionalisht… Jam shumë e zhgënjyer që ata kanë bërë dicka totalisht jashtë kontekstit, thjesht për të hedhur baltë në një fushatë propagande të tyren, apo çfarëdo qoftë agjenda e tyre. Ata madje nuk kanë as nderin e gazetarisë që të paktën të ulen e të kuptojnë filmin. Jam e zhgënjyer që audienca në Kosovë po merr këtë lloj përshtypjeje të parë mbi filmin… shpresa ime e vetme është që kjo fluskë të shpërthejë sa më shpejt.
Po shfrytëzoj mundësinë të të them se filmi është pritur jashtëzakonisht mirë në Suedi. Pas shfaqjes, ka pasur diskutime shumë të mira edhe nga suedezët, edhe nga kosovaro-suedezët. Mendoj se krijon një fokus mbi Kosovën e sotme, në atë që ka ndodhur në të kaluarën dhe mbi të ardhmen e vendit. Kjo më bën të ndihem mirë. Filmi është zgjedhur të shfaqet në festivalin e Filmit dokumentar CPH:DOX në Kopenhagë, me premierën më 22 mars. Ky është një vlerësim i madh për filmin dhe unë mezi po e pres shfaqjen e tij.”


“Megjithatë, është e tmerrshme, shumë e pistë dhe e shëmtuar. Si guxojnë ta quajnë veten gazetarë apo media lajmesh kur punojnë në atë mënyrë. Nga sa shihet nga qëllimi i filmit…. Kjo është e papranueshme. Më vjen vërtet shumë keq që Milaimi po përballet me këtë nëpërmjet keqpërdorimit të materialit tonë. Të falenderoj për mbështetjen dhe fjalët e mira. Dua gjithashtu të shtoj atë që kam mësuar nga shfaqjet e mëhershme në Suedi. Njerëzit që e kanë parë e kanë kuptuar, tërësisht ndryshe nga sa është publikuar qëllimisht në Kosovë. Dhe këto përshtypje janë inspiruese dhe të rëndësishme. Ka për të pasur një opinion tërësisht ndryshe në media, kur ta shfaqim pranë jush.”

Filmi dokumentar “Autostrada Patriotike” e çmonton komplet krimin e organizuar brendapërbrenda administratës së UNMIK-ut dhe Eulex-it.
Filmi është një akuzë e rëndë për mënyrën se si është montuar rasti i korrupsionit kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve dhe në çfarë mënyre i kanë bërë njerëzit të besojnë se drejtësia ndërkombëtare ka fakte dhe prova kundër këtyre njerëzve, shkruan Parrotlla.net.
Në fund, ka dalë se cdo gjë ka qenë një bllof me qëllimin e vetëm për të eliminuar nga skena politike njerëz të kalibrit të Fatmir Limajt.
Flamurtar i krejt këtyre përndjekjeve politike ka qenë dhe mbetet Insajderi, sic po e tregojnë edhe me publikimin e palejuar të klipit nga dokumentari.
Vetë Fatmir Limaj ka deklaruar se rasti Kleçka fillimisht i është hapur nga Vehbi Kajtazi në kohën kur punonte tek Koha Ditore. Ky ‘gazetar’ ka shkuar dhe është kthyer nga çdo seancë gjyqësore në makinën e ish-prokurorit special Salustro.
Misioni i Kajtazit dhe i Insajderit ka qenë, është dhe do të mbetet hedhja baltë mbi çdo figurë të mundshme publike, për të cilën ata marrin urdhra nga lart.
Sic edhe e përmend regjisorja e filmit dokumentar, kjo nuk është gazetari, por është turp i gazetarisë.
Krijimi, manipulimi i qëllimshëm, fabrikimi i fakteve dhe mbajtja nën presion të vazhdueshëm mediatik të gjyqeve, është më së paku gazetari dhe më së shumti mercenarizëm, i bërë me shumë zell nga Insajderi.
Akuzat dhe hedhja baltë ndaj çdo gjykatësi dhe prokurori të Kosovës, që nuk bën pjesë në rrjetin e të mbrojturve të Insajderit, flet qartë për misionin që ka ky portal.
Me mbi 40 akuza për shpifje në Kosovë, ky portal arriti t’ia shtojë vetes edhe një akuzë ndërkombëtare, me origjinë nga Suedia.
Pasi për këto të Kosovës nuk është që e vret mendjen shumë sepse i zgjidh çështjet nëpërmjet presionit dhe kërcënimit, nuk e dimë se si do ta zgjidhë rastin e Suedisë, kur për avokatët e televizionit publik një portal nga Kosova është aq i vogël sa pleshti para këmbës së gjigantit. Paçi fat me ta!/PARROTLLA.NET/

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*