Real Madridi demanton gazetën italiane për situatën e Hakimit

E përditshmja italiane “Corriere Dello Sport” aludoi mbrëmjen e djeshme për një raport të tensionuar mes Interit dhe Real Madridit në lidhje me pagesën e kësteve të kartonit të Achraf Hakimit dhe shkoi më tej, duke paralajmëruar një rikthim të marokenit te “Los Blancos”.

Megjithatë pas përgënjeshtrimit të zikaltërve, ka reaguar edhe klubi madrilen, që nëpërmjet një deklarate zyrtare, e ka cilësuar artikullin të pabazë dhe Interin një klub mik historik, me të cilin ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera.

“Duke marrë shkas nga një artikull i publikuar nga Corriere Dello Sport, për tensione mes klubit tonë dhe Interit, theksojmë se lajmi është tërësisht i pavërtetë. Ne nuk kemi ndërmarrë asnjë veprim për garanci shtesë, siç thotë gazeta dhe termat e transferimit të futbollistit janë sistemuar në një marrëdhënie kontraktuale normale mes klubeve. Për më tepër në këtë rast me Interin, klubi ynë ka ruajtur marrëdhënie optimale, si një klub mik dhe historik”, thuhet në komunikatën e madrilenëve.

Achraf Hakimi iu bashkua Interit gjatë merkatos së verës, në një marrëveshje që kap shifrën e 40 milionë eurove, ndërsa palët kanë rënë dakord që pagesa të bëhet më këste dhe 10 milionë eurot e para madrilenët pritet t’i arkëtojnë brenda 31 marsit.

Shpërndaje