Raporti i DASH-it, Ymeri: Kosova është kapur dhe korruptuar

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri ka reaguar pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit në të cilin përmenden një varg problemesh, e simodos në drejtësi.
Sipas Ymerit, ndër dukuritë më shqetësuese mbeten korrupsioni si dhe ekstradimi i shtetasve të huaj pa proces ligjor.

Sipas tij, rritja e korrupsionit është drejtpërdrejt e lidhur me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut.

Ky është postimi i plotë i Ymerit në Facebook:

REPUBLIKA E KAPUR DHE E KORRUPTUAR, SHKAK I SHKELJEVE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit që vlerëson respektimin e të drejtave nëpër vende të ndryshme të botës ravijëzon disa probleme që janë shfaqur në Kosovë për periudhën raportuese.

Ndër më shqetësueset mbeten korrupsioni, ekstradimi i shtetasve të huaj pa proces paraprak ligjor, si dhe pozita e pakicave etnike e shoqërore në Republikën e Kosovës.

Natyrisht që rritja e korrupsionit është drejtpërdrejt e lidhur me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut.

Në mënyrë implicite, korrupsioni nënkupton cungim të mundësive për shumicën duke e përqendruar pasurinë/pushtetin në duart e pakicës. Ky lloj shteti është shtet i kapur, meqë korrupsioni është mekanizëm që, duke i përjashtuar procedurat demokratike e orientimin e politikave kah e mira e përgjithshme, e privatizon aparatin shtetëror për ta vënë atë në funksion të interesit të pakicës sunduese. Kur kësaj i shtohet edhe identifikimi etnik politik, atëherë formula është e gatshme. Tjetri, përherë i reduktuar në numër, shihet me dyshim dhe si rrezik.

Kështu Republika e kapur dhe e korruptuar shndërrohet në të kundërtën e vet – në vend se demokraci gjithëpërfshirëse, prodhon oligarki sunduese; në vend rishpërndarje për mirëqenien e përgjithshme, prodhon zhvatje për pasurim të sunduesve.

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*