Papërgjegjësia dhe komoditeti i tepruar politik në Kosovë

Shkruan: Hysen Gecaj

Kosova është e stërmbushur me probleme të të gjitha llojeve dhe niveleve.Kush duhet të na i zgjidhë këto probleme?

Që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme populli i Kosovës kalon ditë e vite në shpresë se një ditë do të bëhet më mirë. Nganjëherë kjo na e kujton edhe kohën e paraluftës ku secili shqiptarë shpresonte se një ditë do të bëhet mirë. Kaluan ato ditë të paraluftës duke shpresuar por asgjë e mirë nuk ndodhi në kuptimin e pritjeve që kishte populli por për më keq ia behu lufta dhe ranë në ujë edhe shpresat se me politikë paqësore do te arrijmë që ti fitojmë të drejtat tona dhe lirinë në mesin e popujve të barabartë dhe të civilizuar. Mbaroi edhe lufta dhe populli prapë me shpresa. Sot nuk është mirë por do të bëhet mirë ! Kështu e vazhduam njëzet vjet pas lufte. Shpresat tona,sa tek njëri lider sa tek tjetri. Dhe prapë asgjë.
Në njërën anë liderët (e pa ndershëm) kuptuan se nuk e kanë të vështirë që këtë popull ta manipulojnë ndërsa në anën tjetër populli i hutuar nuk di se cilit lider ti besoj. Populli duhet të filloj me ndëshkime përmes vote. Duhet ta kuptoj se lideri është shërbëtorë i tij dhe jo e kundërta. Të mos u besoj fjalëve të liderëve por rezultateve në punën e tyre. Kosova sot ka telashe me Serbinë e cila është si gjithmonë shumë aktive në planin diplomatik dhe politik në luftë për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Natyrisht që zhbërja nuk do të ndodhë por ç’funksionalizimi i shtetit të Kosovës po ndodhë. Kemi ç’njohje ose ngrirje të njohjeve,nuk kemi qasje në institucionet e rëndësishme ndërkombëtare,në planin e sigurisë e kemi të cenuar një pjesë të territorit të shtetit dhe një ekonomi të bllokuar nga pamundësia që të kemi qasje në institucione dhe organizata ndërkombëtare politike dhe ekonomike. Vonesat për zgjidhjen e problemit me dialog me Serbinë për Kosovën është më e dëmshme. Këtë e ka kuptuar lidershipi serb prandaj në njërën anë ka ndërmarrë një ofensivë të ashpër diplomatike kundër Kosovës kurse në anën tjetër vazhdon me integrimin e saj në forume dhe organizata të ndryshme ekonomike dhe politike ndërkombëtare si dhe armatosje të ushtrisë së sajë me armatime të prodhimit Rus. Orientimi në njërën anë kah tregu Euroaziatik dhe “neutraliteti” ushtarak duke u armatosur nga Rusia janë tregues se Serbia ende shpreson për ndryshime gjeostrategjike ndërkombëtare ku edhe do të përfitonte në dëm të Kosovës.

Lidershipi dhe populli i Kosovës ka një besim të teprua tek miqtë ndërkombëtarë por po harrojnë se miqtë tanë ndërkombëtarë kanë interesat e veta për të cilat ata edhe mundë të kthejnë kokën pakëz mënjanë në momentet kurë Kosovës i duhet ndihmë. Serbia jo rastësisht synon dominim ushtarak në Ballkan. Gabimet që lidershipi i Kosovës bën ,janë të një niveli tejet primitiv. Në asnjë rast nuk janë ulur pozitë dhe opozitë për të analizuar bashkërisht çështje të cilat tejkalojnë interesat partiake. Përkundrazi,edhe nëse ndonjë propozim apo ide e propozuar kishte gjasa që të ishte në favor të Kosovës,pala tjetër e kundërshton me ngulm me qëllim të përfitimit politik. Të këtilla janë edhe çështja e tarifës me Serbinë edhe krijimi i ushtrisë edhe çështja e kufirit me Malin e Zi.Në asnjërën nga këto qështje popullit nuk iu tha e vërteta.Në asnjërin nga rastet e përmendura nuk thuhet e vërteta por komentohen ashtu që të përfitohen politikisht varësisht se kush i interpreto. Nuk duhet harruar se bashkësia ndërkombëtare ka realizuar qëllimet e veta në Kosovë. Tani se a do të vazhdoj bashkëpunimi i shteteve të fuqishme me Kosovën si tërësi apo me një Kosovë të cunguar,për ta nuk ka rëndësi. Faktorit ndërkombëtarë i konvenon që duke dëmtuar Kosovën në një masë dhe duke plotësuar apetitet Serbisë të shtrijë ndikimin e vet edhe në Serbi prandaj një pjesë e territorit të Kosovës mundë të shërbej si monetë për kusuritje në interes të faktorit ndërkombëtarë dhe Serbisë. Humbësi i vetëm në këtë rast është Kosova e cila është e pa fuqishme që pa ndihmën e faktorit ndërkombëtarë të mbrojë tërësinë territoriale. Nuk kemi kapacitete shtetërore që vetes ti japim kaq shumë komoditet sa interesat e ngushta të liderëve të papërgjegjshëm të Kosovës ti vejmë mbi ato të popullit të Kosovës dhe kombit si tërësi.

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*