Pacolli: Gjithmonë gati për dialog, por Serbia po provokon incidente

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas deklaratës së vendeve të Quintit, të cilat kanë kërkuar vazhdimin e dialogut me Serbinë, duke thënë se Kosova gjithmonë ka qenë e përkushtuar për vazhdimin e procesit.

“Politika e jashtme e Kosovës ka qenë gjithmonë e koordinuar dhe në përputhje me pozicionin e partnerëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë që nga fillimi i viteve ’90. Shtetësia jonë është e bazuar në orientimin tonë perëndimor dhe ne mirëpresim angazhimin e treguar nga të gjitha vendet e Quint-it së bashku për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova gjithmonë ka qëndruar e përkushtuar të vazhdojë dialogun dhe ne kemi qenë të gatshëm të rifillojmë bisedimet, por ishte Serbia që la karrigen e saj të zbrazët dhe provokoi incidente dhe agresion kundër Kosovës vazhdimisht”, shkruan Pacolli në  Facebook.

Ai ka komentuar edhe deklaratën  e Marko Gjuriqit, i cili ka dalë kundër shteteve të Quint-it. Sipas Pacollit kjo deklaratë dëshmon mungesën e vullnetit nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Deklarata e Marko Gjuriqit sot dëshmon edhe një herë mungesën e vullnetit nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kosova ka luftuar për dy vjet një betejë diplomatike të paparë me Beogradin që diplomacia e ndyrë serbe ka synuar të minojë shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht. Tarifa ka qenë instrumenti sovran i Kosovës të reagojë ndaj këtij agresioni të provokuar nga Beogradi, dhe sot Serbia ende nuk tregon vullnet për t’i dhënë fund asaj. Ne jemi gati si gjithmonë për dialog, por kushtet janë të qarta si dy shtete të pavarura dhe sovrane që synojnë njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, thotë Pacolli.

Vendet e Quintit sot i bënë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të rifillojnë sa më shpejt dialogun dhe theksuan se Prishtina duhet të heqë tarifat dhe Beogradi të pezullojë fushatën e tij për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*