OECD: Duhet të punohet më shumë për rritjen ekonomike në Kosovë

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) me mbështetje të Komisioni Evropian kanë mbajtur konferencën e nivelit të lartë më temë “Konkurrueshmëria në Evropën Juglindore: Pikëpamja për Politikat 2018”.
Ushtruesja e detyrës së ministres në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi tha se ministria do të përpiqet t’i zbatojë rekomandimet e dala nga raporti i OECD-së.

“Raporti në fjalë përcakton një agjendë të qëndrueshme të reformës dhe mbështet dokumentet dhe proceset e tjera strategjike. Ministria ka bërë mbledhjen e të dhënave dhe ia ka dërguar OESD-së. Ju sigurojmë se do të angazhohemi në maksimum për implementimin e rekomandimeve”, tha ajo.

Sipas Krasniqit, raporti ka shënuar progres, por se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

Ndërsa Riccardo Serri udhëheqës i Sektorit Politik, Ekonomik dhe për Integrime Evropian në Zyrën e Bashkimit Evropian, tha se raporti i publikuar do të jetë i dobishëm për të ardhmen për t’u përdorur si mjet i punës.

Serri vlerësoi se niveli i rritjes ekonomike në Kosovë është i ulët.

“Sundimi i ligjit lidhet me ekonominë. Kjo perspektivë do të jetë e dobishme për të ardhmen dhe raporti do të përdoret si mjet pune, por kjo nuk mjafton. Ministria ka shumë sfida për zbatimin e politikave, të kemi një pasqyrë të qartë të së ardhmes”, tha zyrtari.

Ndërkaq, Marzena Kisielewska, udhëheqëse e Divizionit të OECD-së për Evropën Juglindore tha se raporti për konkurrueshmërinë është një nga vlerësimet më të thukëta dhe gjithëpërfshirëse të Ballkanit Perëndimor.

“Draftimi i raportit ka qenë ushtrim që do të krijonte kapacitetin e qeverisë për implementimin e politikave. Ka të dhëna dhe rekomandime të dobishme dhe kjo e hap një kapitull të ri që ju duhet ta shkruani. Sukseset do të vërehen se si e përdorni dhe si i përktheni rekomandimet për reforma, duhet më shume përpjekje për rritjen ekonomike. Reformat dhe politika duhet të zbatohen në formë më inovative”, deklaroi ajo.

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*