Obama: Peres ishte një forcë e vërtetë e natyrës

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u vu në krye të elogjive me përshkrimin e Peresit si një “njeri të madh”. Fjalimin e tij të mbushur me emocion, kreu i ekzekutivit e përdori për të kujtuar se ndërsa Izraeli dhe pjesë të tjera të globit vajtojnë humbjen e këtij shtetari të jashtëzakonshëm, ai ka lënë pas shpresë.

“Shimon jetoi një jetë plot kuptim. U ngrit në lartësi të paimagjinueshme. Rrëmbeu mendjet dhe zemrat e aq shumë njerëzve me vizionin dhe shpresën e tij. Ishte një njeri i madh i Izraelit, ishte një njeri i madh i botës”, tha Netanyahu.
 
Fjalët ishin homazhi më i mirë i ish-presidentit amerikan Bill Clinton: “Kritikët e akuzonin shpeshherë si naiv e ëndërrimtar të pashpresë. Gabim e kishin vetëm tek pjesa e naivitetit, se kur vjen fjala tek të qënit më optimist seç duhet, e dinte fare mirë çfarë po bënte me ëndrrat e veta. Ai njeri nuk hoqi dorë kurrë, por vazhdoi të shpresonte deri në fund”.
 
Për Barack Obamën, Shimon Peresi personifikonte një Izrael ndryshe, pikërisht atë lloj vendi të cilin shefi i Shtëpisë së Bardhë do ta kishte dashur si partner gjatë presidencës së vet: “Kur ai fliste, të tjerët dëgjonin. Dhe pasi ai dilte nga dhoma, rrinin e mendonin mbi ato çfarë kishte thënë. Fjalët e tij të hynin në shpirt dhe mbeteshin aty. Shimon Peresi ishte një forcë e vërtetë e natyrës”.
 
Edhe pas vdekjes, Peresi përcolli sinjale pajtimi. Në ceremoninë mortore të zhvilluar në Jeruzalem, Netanyahu shtrëngoi duart me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas. Por, paqja është çështje ende e pazgjidhur në Lindjen e Mesme dhe shumë pyesin nëse edhe ajo do të varroset bashkë me babain e kombit izraelit.

Shpërndaje

Comments are closed.