Në programet për zgjedhjet lokale, mungon trajtimi i politikave të sigurisë në komunitet

Shkruan: Hajriz Sejdiu

Mos shpalosja e politikave lokale të sigurisë në komunitet, nga kandidatët për kryetarë komunash, është një papërgjegjësi e pafalshme ndaj qytetarëve dhe ikje e parakohshme nga përgjegjësia ligjore e menaxhimit të rreziqeve në nivelin lokal.

Duke dëgjuar programet e  kandidatëve për kryetarë komunash për zgjedhjet e ardhshme lokale, të krijohet përshtypja se niveli lokal nuk përballet me asnjë lloj rreziku, ose ndoshta kandidatët për kryetarë, mendojnë se dikush tjetër do të merret me menaxhimin e  rreziqeve në komunat që ata pretendojnë ti qeverisin. Ata duhet ta dijnë se politika lokale e sigurisë dhe menaxhimi i rreziqeve, janë detyrë dhe përgjegjësi e nivelit lokal, bazuar në disa ligje, si ai për vetëqeverisjen lokale, ligjin për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera etj.

Sidoqoftë, siguria në komunitet  mund të vështrohet nga shumë aspekte dhe duke marrë parasysh të gjithë faktorët që ndikojnë në sigurinë, ky aspekt i jetës në komunitet  duhet të interpretohet gjerësisht, duke përfshirë të gjitha çështjet që ndikojnë në sigurinë e banorëve dhe pronës së tyre. Siguria nuk nënkupton vetëm mungesën e krimit, por edhe sjelljet dhe ngjarjet që dëmtojnë sigurinë e komunitetit dhe njerëzve, si dhe në ndjenjën e sigurisë.

Politika e sigurisë në nivel lokal drejtohet në përputhje me interpretimin e lartpërmendur dhe në aspektin e gjerë të konceptit, si çështje e cila për  nga natyra e saj ndikon në sigurinë aktuale dhe të perceptuar të individit dhe komunitetit. Kjo sguri duhet të shikohet nga prizmi i krimit dhe shkeljes së rendit publik,  nga rreziqet e armëve të vogla, mjeteve të pashpërthyera,  rreziqet e aksidenteve rrugore, kërcënimi nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera si dhe nga qentë endacakë. Gjithashtu, siguria duhet të analizohet edhe  nga këndvështrimi i popullsive të ndryshme, duke pas parasysh karakteristikat socio demografike të grupeve të veçanta dhe statusin eventual të pakicave të çdo lloji. Vëmendje e veçantë duhet ti kushtohet analizës se si disa prej  rreziqeve dhe sfidave ndikojnë në gratë dhe burrat, te të moshuarit, fëmijët me nevoja të veçanta,  analizë përmes së cilës  kërkohet sigurimi i qasjes së ndjeshme gjinore dhe grupeve të cenueshme, në zbatimin e politikës së sigurisë.

Lexoni po ashtu:  Historiku i zgjedhjeve në Kosovë

Politika lokale e sigurisë synon të adresojë nevojat  sigurisë për të gjithë, ose të paktën për shumicën  e banorëve dhe komuniteteve lokale, pa diskriminim. Kjo politikë është  përmbajtësisht gjithëpërfshirëse  dhe shmang zgjidhjet që do bëjnë përfitues vetëm një kategori të privilegjuar të qytetarëve. Siguria duhet të jetë një e drejtë për të gjithë, jo një privilegj i individëve.

Siguria e komunitetit  është përgjegjësi e pushtetit lokal. Afërsia e komunitetit me autoritetet lokale ndikon  në qasjen  e tyre të natyrshme  ndaj njëri tjetrit.  Organet e qeverisjes lokale janë përgjegjëse sipas ligjeve në fuqi, për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të tyre nga çdo rrezik dhe çdo lloj fatkeqësie natyrore apo fatkeqësie tjetër. Ata duhet të  kenë mjetet konkrete dhe praktike  për menaxhimin e sigurisë në nivelin lokal. Këto aftësi reflektohen  kryesisht në  buxhetet e qeverive, autoriteteve dhe institucioneve lokale   që duhet krijuar dhe të cilat do të veprojnë në nivelin lokal. Megjithatë, një resurs edhe më i madh i autoriteteve lokale në arritjen nivelit të dëshiruar të sigurisë në komunitetin lokal është vetë komuniteti dhe organizimi i tij, si dhe rrjetet shoqërore formale dhe joformale. Kjo politikë lokale e sigurisë në veçanti,  do te theksonte veprimin sinergjik të institucioneve qeveritare, sektorit privat, OJQ-ve dhe komunitetit, për çështjet e përbashkëta.

Prandaj, mos shpalosja e politikave lokale të sigurisë në komunitet, nga kandidatët për kryetarë komunash, është një papërgjegjësi e pafalshme ndaj qytetarëve dhe ikje e parakohshme nga përgjegjësia ligjore e menaxhimit të rreziqeve në nivelin lokal.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn