Në plazh me Kadarenë, Edi Ramën, Lulzim Bashën e të tjerë

AGRON GJEKMARKAJ

Vapa si jehu i qoftëlargut ka vërshuar rrugëve të Shqipërisë duke trumhasur e mpirë të madh e të vogël. Nafakëbardhët, duke rendur si mëzi në lendinë, kanë zënë bregun e detit. Të pamundurit gjithë zemëratë, me qafen e skuqur nga mujsharia e rrezeve, turfullojnë mes taftit të djersës, perzier me pluhur, pezmin e grumbulluar muaj pas muaji. Miku im hebre i strukur në bodrumin e vilës së tij në Petrelë, ku temperatura shënon 24 gradë, dëgjon lajmet për rritje të saj dhe këqyr muret e veta me një lëbyrje sysh nga mallëngjimi e nderimi për projektuesin, ndërtuesin dhe babanë që i bënë kaq të trasha.

Gjysmë errësira i duket paqe dhe as i shkon ndërmend që kokën e tij pa flokë ta nxjerrë jashtë. Meraku që i shkaktojnë të papriturat e bën të kujdesshëm. Ja e nxora, thotë, e sikur të më piqet lëkura dhe dora të ledhatojë kockat e dala si dhëmbët e Kadmosit? Mornica i kalojnë në trup. Mos e dhëntë Zoti! Fik telefonin. Në djall miq e shokë a kush e kërkon! Pa filluar shirat e para, as sytë në dritare nuk qet e jo më kryet jashtë derës, kështu edhe portofoli nuk i t’hollohet duke e parandaluar sëmbimin në shpirt.

Bardhyl Londo ende nuk ka ikur nga Tirana. Këtë vit analizat nuk i kanë dalë edhe aq keq. Ecjen e ka më të lehtë pa tahmah dhe shikimin jo aq të ngrysur. Mjeku i ka lejuar ta ftohë gjyrykun, i cili po i thahej si Grykë e Mezhgoranit a Tenda e Qypit nga murlani me birrë “Paulaner” të ftohtë taze teksa ndërpret leximin e “Krishti kryqëzohet përsëri” të Kazanzaqis. Miqtë e tij xhymertë të demoralizuar nga lajmet e vitit që shkoi, le të duken pa gajle asaj bokrrine dhe nuk do të zhgënjehen si motit. Mos të gabojnë me ia ndryshu recetën me raki apo konjak se befas ndonjë shpullë u kërcet në rrashtë të kresë.

Në pikë të këtij gazepi, Lulzim Basha dhe Tritan Shehu po bëjnë alamet opozite. Ke qejf t’i dëgjosh qerratenjët! Bie fjala si gjyle topi mbi qemerin e padrejtësive. Veç të shtënat nga kryqëzori Aurora në filmin e Ezejnshtejnit të krijojnë një të tillë tension të brendshëm. Pas rezultatit mbresëlënës të 25 qershorit dhe 22 korrikut, djalëria shqiptare, neoshqiptarizma, të virtytshmit dhe idealistet me fjalën e tyre e bëjnë litar shpresën. Në një breg ku kam hedhur një çadër për të kërkuar hije e puhizë, pasi “zgjedhjet e lira” vanë, dhe nga ku po nomatis këto radhë plot brengë e mall, një demokrat i kalitur betejash m’u afrua pa shumë kortezi e më tha: “E more evlat si erdhën kohët, e vetmja mënyrë që të bëjë njeriu prokopi në PD-në e re është të lexosh e studiosh jetën, veprën dhe mendimin e Aldo Bumçit, Grida Dumës, Eduard Halimit, e Tritan Shehut dhe pastaj të dalësh në provim para Jeminit!”.

Lexoni po ashtu:  Shqipëria nuk duhet të ketë edhe ligj, edhe maliq, z. Kryeministër…!

Plazh i gjatë, njerëzit venë e vinë, mos këtë këshillë t’ia ketë dhënë i ngeshmi, edhe Preç Zogajt, i cili prej kohësh ka mbet pa tekst gazetaresk, siç thonë kosovarët, teksa me siguri lexon Pesoan, ndonjëherë nënqesh mendueshëm dhe muzgjeve hedh në kartë vargjet e veta! Basha, siç thonë tiranasit është bërë “me t’u dhimys”, prapë mileti nuk resht së treguari qyfyre, disa prej të cilave të ftojnë ta admirosh si personazh letërsie.

Rrëfente njëri mes hukamash, të cilat ndërpriteshin nga nevoja për të marrë frymë se si një biznesmen i madh fare i kishte ndërhyrë për një personazh të njohur të “PD-së së vjetër” që ai të mbetej në listën e deputetëve dhe paskësh marrë si përgjigje që jo vetëm do të jetë, por ka mundësi të zgjedhë në do të jetë i pari, mes Korçës dhe Elbasanit, dhe pastaj i interesuari natën e 26 majit e kishte gjetur befas veten pensionist. Po kështu, pa i shpëtuar yshtjes në të qeshur, tregonte një tjetër se si një gazetar, nga më të njohurit në vend, qenkesh interesuar për një mikun e tij aty brenda dhe paskësh marrë qortimin e Lulit se si të shkon mendja se ai s’do të jetë, si ke forcë ta mendosh këtë, turp për ty?!!

Jo vetëm që do të jetë, por të lutem pyete në ka ndonjë mik cilësor për të rekomanduar, e paskësh darovitur Kryetari. Ai ishte larguar gjithë vrasje ndërgjegjeje për atë dyshim që paskësh patur. Kërshërisë për të ditur nëse e kishte mbajtur fjalën tregimtari, mes një të zgërdhire tha, artist fare…jo mer jahu çfare, e gënjeu, dhe një hahahahahah çau ajrin, si zhurma e një tullumbaci të sapoplasur! Vapë e sikletshme. Në dëgjesat që bëri Kryeministri nën hije e qytetarët në diell, nuk kishte durim të dëgjonte se as i duhej ajo pjesë, fliste vetë, shpesh me njëfarë hakërrimi karakteristik, duke premtuar si gjithmonë gjëra që nuk maten si krenari, dinjitet dhe shtet.

Lexoni po ashtu:  Shqipëria nuk duhet të ketë edhe ligj, edhe maliq, z. Kryeministër…!

Me tepsi, kazan e timon në dorë iku të qetohet në brigjet e hazërta të Dhërmiut. Po mejtohet për qeverinë e Re! Të parën, atë 2013, me të cilën nxori Shqipërinë në selamet, e ndërtoi me personalitete të forta, aq sa ndillte dhimbje, pasha Zotin … sa shumë e kundërshtojnë dhe debatonte me ta? Tani me gjasë do të zgjedhë njerëz të butë, e të shtruar, që e kanë llafin sherbet, fjollë, jo si të parët që ia plasën buzën, tue e lodhë, tue e plakë, tue e ba verem sa gjithë fushatën i bëri opozitë qeverisë! Mos bëfshin hajër Damjani, Lindita, Mimi, Iliri, Saimiri, Arbeni etj., që vetëm jo i thonin.

Kryeministri këto ditë ka shpallë konservatorizmin si doktrinë për të kuptuar se kush janë liberalët në administratë. Në vjeshtë do të shpallë liberalizmin për të zbuluar konservatorët. Është e hollë kjo punë, Mao Ce Duni nuk ishte torollak do të thoshte Shpëtim Nazarko, duke tundur kokën nja dy a tri herë. Sali Berisha po pushon në mënyrën e tij. Ai bën ushtrime logjike. Ndonëse ka bërë mjaft progres, ende s’e ka gjetur me saktësi majën në të cilën Basha do ta ngjisë PD-në, por e merr me mend.

Eduard Selami është shpallur “Wanted”. Alfred Lela nga bedenat e portalit të tij shpreson që Hektori të ngjallet së vdekurish për të ringritur Trojën e djegur. Filozofi Artan Fuga, pasi i priu një çete të vogël, por cilësore intelektualësh në betejën për zgjedhje të lira e të ndershme me simbol çadrën në bulevard, njëkohësisht duke pranuar nevojën për një republikë të re, bëri një zbulim në rrugën “Him Kolli”. Aty punëtorët e komunales së Lal Erit, me vetëmohim shpëtuan banorët nga kutërbimi dhe yryshi i fekaleve të inatosura e të zapullitura nga zhegu.

Ai gjet një sjellje të denjë për Republikë të re apo një model nga duhet filluar, pikërisht nga ujërat e zeza. Të habiturit nuk qenë të paktë. Por habia vetë është goxha koncept filozofik. Aurel Plasari po shkruan një libër për fisnikërinë arbërore, Dukagjinët, Kastriotët, Balshajt, Aranitët, Topijat, Muzakajt etj., dhe kohë më parë pas pesëmbëdhjetë vitesh punë pat botuar Kryeveprën e historiografisë shqiptare: “Skënderbeu-Një histori politike”.

Lexoni po ashtu:  Shqipëria nuk duhet të ketë edhe ligj, edhe maliq, z. Kryeministër…!

Çuditërisht, për xhelozi, injorancë, banalitet apo perversitet, të gjithë ata që duhej të flisnin, me ndonjë përjashtim të spikatur, heshtën, teksa janë në gjendje të llapin pa fund kur do duhej të heshtnin. Mustafa Nano gatoi një “Sanduiç” dhe bëri kaps gjysmën e “elitës” së vendit. Mark Marku, i cili shkruan gjithnjë e me rrallë, por mendon gjithnjë e më tepër si gjithë katolikët që ndërtojnë një raport të ri me Zotin dhe botën në kapërcyellin e të pesëdhjetave nuk mërzitet lehtë e as gëzohet shpejt, sepse besimin dhe respektin ia ofron pakkujt, ndaj nuk zhgënjehet sa hap e mbyll sytë.

Më i fituari nga kjo gjendje e tij i bie të jetë Lulzim Basha, të cilit kush kalon rrugës, i jep një “perdafje”. Marku jo. Persida Asllani, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, është më e trishtuara në këtë dalldi të nxehti. Njerëzit, pasi kalojnë nga sheshi “Skënderbej” si nga ranishtet e Jemenit, hyjnë në bibliotekë rrakapjekthi si pranë një oazi dhe sa nuk bien shahit në shkallë. Ata nuk kërkojnë libra, por ujë duke belbëzuar nga shkrumbimi. Thonë se në Qerret, Ismail Kadare, më i zymtë se zakonisht, në ballkonin e shtëpisë së tij verore pret dërgata nga kufijtë veriore dhe jugorë.

Ata sjellin lloj-lloj kumtesh. Armiq, komplote, gjeste trimërie… ç’mos! Befas, dy gra nga Tetova të mbuluara me xhixhillik dallohen në distancë që rrasen në det gjithë kendellje. Zymtohet edhe më, ndihet i huaj në Qerret, në Tiranë ..në Gjirokastër dhe koha e letërsisë me kohën e realitetit i rezultojnë të ndara qysh nga Mesjeta e Skënderbeut.

Një gazetashitës po vikat ndan bregut sa mundet “lajme të reja nga Republika e vjetër me Kryeministër të vjetër”! Një miku im jurist më dërgon shpesh lajme nga portalet dhe mban syrin në frengji, nëse do bëj shamatë me gjithë botën por jo, së paku këtij gushti, siç thotë Martin Camaj, “trupi lyp paqe e shpirti don gjumë”, ndonëse asnjë pikë shi nuk bie në lumë!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn