Mosrregullimi i shkallëve dhe ngricat rrezikojnë banorët e Arbërisë

Zvarritja e punimeve tash e një vit e rregullimit të shkallëve në lagjen Arbëria, po i shkaktojnë telashe të shumta banorëve atje, duke ia vështirësuar qarkullimin.

Mirëpo, përveç kësaj, ngricat e mëdha po i rrezikon edhe jetën atyre, duke marrë parasysh mungesën e mbajtësve dhe punëve tjera të pakryera.

Të paktën kështu thonë banorët e Arbërisë, të cilët shprehen të revoltuar me këtë gjendje që është tash e një vit.

Alitin Daka, banor i kësaj lagje, thotë se shkallët është dashur të rregullohen kohë më parë, pasi përveç rrezikshmërisë nga punët e pakryera dhe ngricat kanë bërë që të rrezikohet dhe jeta e tyre.

Banorja tjetër e kësaj lagje, Emine Sahiti, thotë se rregullimi i shkallëve është dashur të përfundojnë verës, sepse siç e cilëson ajo, siguri gjatë stinës së dimrit nuk ka.

Kurse Qëndrim Arifi nga Iniciativa për Progres “INPO”, e cila monitoron komunën e Prishtinën, thotë se vonesat e këtyre projekteve po e paraqesin komunën joserioze. Ai thekson se neglizhenca e tillë është një përbuzje skandaloze e buxhetit publik.

Ndërsa ka akuza për menaxherët e këtij projekti që janë në kuadër të komunës. Sipas Arifit, ata duhet të jenë më të efektshëm dhe të marrin masa në rastet kur nuk respektohen afatet e punës.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje që është opozitë në kryeqytet, përmes asamblistit të tyre, Eman Rrahmanit shprehet më e ashpër karshi neglizhencës së rregullimit të shkallëve në këtë lagje.

Sipas Rrahmanit, pasojat e këtyre vonesave më së shumti i vuajnë qytetarët, pasi tashmë ka dhe ngrica, ndërsa, mungesa e mbrojtësve po e rrezikon jetën e njerëzve që kalojnë atje çdo ditë.

Ndërsa, zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri vonesat në këtë projekt i arsyeton me kushtet e këqija atmosferike dhe procedurat e zgjatura që është dashur për të përshtatur materialin e ndërtimit.

Siç thotë ai, nëntëdhjetë përqind e punimeve kanë përfunduar. Tahiri konsideron se kanë mbetur jo më shumë se dy javë punë, mirëpo duhet pritur të rregullohet moti për të vazhduar punimet.

Komuna e Prishtinës ka premtuar se këto shkallë do të rregullohen për 120 ditë, kurse një zyrtar komunal është duke u akuzuar për marrje të ryshfetit pikërisht për këtë projekt./PARROTLLA.NET/

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*