LVV nis peticionin, kërkon zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur të dielën një konferencë për media ku është theksuar se përmes një peticioni do të kërkohet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

LVV  thotë se Kosova ka nevojë të menjëhershme për zgjedhje, që të zgjidhet kriza politike dhe të përcaktohet rruga që do të marrë vendi.

“Me këtë peticion ne, qytetarët e Kosovës, duke vendosur nënshkrimin dhe numrin e letërnjoftimit, bëjmë të ditur se duam zgjedhje, e se vetëm qeveria e dalë nga zgjedhjet ka legjitimitet për të qeverisur.  Veprimet në Kuvendin e Kosovës në 25 mars 2020 treguan se partitë e vjetra, PDK, LDK, AAK, Nisma dhe Lista Serbe, janë bërë bashkë kundër votës së qytetarëve. Ata nuk mundën ta durojnë një shtet të drejtë, që i largon të korruptuarit dhe nuk merr rroga të larta për vete, por i çon paratë në ndihmë të popullit, të ekonomisë e shëndetësisë. Ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese në 28 maj 2020, tregon se sa i kapur prej partive të vjetra është shteti e drejtësia. Aty ku kriminelët janë mbi gjykatat, të vetmit që ndëshkohen janë qytetarët”, thotë kjo parti.

Ndërkaq, siç bëhet e ditur, në peticion janë të nevojshme të shkruhet emri, mbiemri, numri personal dhe adresa.

Peticioni, sipas VV-së, përfundon më 30 qershor, që i bie edhe 30 ditë.

Peticionin në formë elektronike mund ta gjeni KËTU.

Shpërndaje

Comments are closed.