Lunaçek: Votojeni demarkacionin, ose iu mbyllen dyert për në BE

Kuvendi i Kosovës duhet sa më parë të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi. Madje ajo shtoi se vonimi i ratifikimit të kësaj marrëveshje mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën, deri në mbylljen e dyerve për në Bashkimin Evropian.

Kështu ka deklaruar raportuesja e Parlamentit Evropian në Kosovë, Ulrike Lunaçek në konferencën e fundit për media, duke thënë se ky është topi që e ka Kuvendi i Kosovës për liberalizimin e vizave.

“Tash topin e ka Kuvendi i Kosovës… Ju bëj thirrje shumicës ratifikuese që vërtetë të marrin 2/3 e votave për këtë sepse është koha, ora po ecën… Dera po mbyllet dhe kjo siç thash po ikën . Pra mund t’iu them që nëse nuk ndodh ratifikimi atëherë liberalizimi i vizave nuk do të bëhet. Nëse ndodh atëherë ka mundësi të madhe. Nuk mund të them 100 përqind po do të thoja 98 deri në 99 përqind që do të bëhet. Pra e vetmja mënyrë për të arritur liberalizimin e vizave është të ratifikohet marrëveshja. Kjo është me rëndësi që ka të bëj të përmirësohet dënimi, ndëshkimi i personave që janë të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar. Po kjo është përmirësuar pak po kryesorja është ratifikimi”, tha ajo.

Lunaçek tha se gjatë 8 viteve sa ishte raportuese në Kosovë, ka pasur përparim në disa gjëra, përderisa shëndetësia, arsimi dhe punësimi janë pikat që fushat që ende ka nevojë të punohet në to. Sipas saj, duhet të punohet drejt marrëdhënieve të Kosovës dhe BE-së dhe Kosovës dhe Serbisë.

Raportuesja e PE në Kosovë i ka quajtur të pavërteta deklaratat e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për të cilin ka thënë se ka qenë ai vet që ka nënshkruar marrëveshjen me Malin e Zi në kohën sa ishte ministër i Punëve të Jashtme së bashku me ministrin e atëhershëm Skënder Hyseni, dhe është dashur qysh atëherë të sigurojnë shumicën në Parlament.

Madje, ajo theksoi se komentet e tilla të pavërteta e kthejnë Kosovën prapa.

“Kur kam biseduar me presidentin tuaj dje, unë kam qenë shumë e sinqertë e hapur me të gjithë këtu. Së fundi ai ka ngritur zërin në mediat e Kosovës, e po ashtu dhe në mediat në mbarë BE, duke fajësuar Komisionin Evropian që ka vënë një kusht ndaj qytetarëve me marrëveshjen e demarkimit. I thash shumë qartë ‘se kjo nuk është e vërtetë’. Ai ishte ministër i Jashtëm kur ka nënshkruar marrëveshjen. Ishte përgjegjësi e tij si ministër i kësaj Qeverie, që të sigurohet para se ta nënshkruajë atë të bisedoj me Kuvendin. Dhe të shoh nëse do ta siguroj shumicën apo jo. Dhe i kam thënë atij se ‘nëse tash e fajëson Komisionin, fajësimi i BE nuk është mënyra për të ecur përpara’. Është e kundërta, e kthen Kosovën pas. Sepse Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të BE do të thonë se ‘ata e kanë nënshkruar atë, pse s’po e marrin përgjegjësinë për këtë. Ata e kanë nënshkruar dhe e kanë ditur prej vi tit 2012’. Ta fajësosh tash BE-në është në kundërshtim të plotë, me atë që do të bëjë një president për vendin dhe qytetarët e tij. Isha e qartë dhe i thash se do ta them dhe publikisht kur të më pyesin. Z, Haradinaj tani po përpiqet të gjejë rrugëdalje prej kësaj. Për neve është e qartë që është një marrëveshje dhe duhet të ratifikohet, është për të ardhmen e qytetarëve”, tha Lunaçek.

Pasuesi i Lunaçek, Igor Sholtes u shpreh se Lunaçek ka merita të mëdha për punët në Kosovë, ndërsa theksoi se ai vet nuk është i ri në Kosovë, ndërsa do të fokusohet që në bashkëpunim me të zgjedhurit e popullit të ofrojnë të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës.

Ai ka shprehur bindjen e tij se ardhmja e Kosovës është në BE.

“Ende ka mundësi dhe aftësi për përmirësime. Shumë gjëra duhet të realizohen dhe të kryhen dhe një gjë shumë me rëndësi është se në kuadër të kornizës ligjore, legjislacioni në Kosovë është në gjendje relativisht të mirë. Problemi kryesor mund të jetë zbatimi i tij, ndoshta dhe interpretimi i tij. Mirëpo nëse e keni ligjin duhet ta respektoni. Dhe çka është me rëndësi është sistemi gjyqësor, sepse pa pasur gjyqtar të pavarur dhe prokuror të pavarur nuk mund të mbroni të drejtat themelore, të drejtat e njeriut dhe të qytetarëve. Kosova ka nevojë që të rinjtë të rrinë këtu dhe Qeveria është në krye të kësaj sfide, që të investojë shumë dhe t’iu ofrojë mundësi këtyre të rinjve… Jam i sigurt se e ardhmja e Kosovës është në BE. Unë do të mundohem të bëjë më të mirën e mundshme si raportues i PE-së, me bashkëpunimin e gjithë aktorëve relevant, me ministra dhe kryeministrin, me pozitën dhe opoz itën dhe gjitha partitë politike që të krijojmë vërtet të ardhmen e Kosovës”, tha ai.

Krejt në fund, Lunaçek ka shtuar se para se Serbia të anëtarësohet në BE duhet të njohë Kosovën.

Shpërndaje