Kryeministri italian: Po përballemi me krizën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka paralajmëruar se vendi i tij është duke u përballur me krizën më të rëndë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Këtë deklaratë ai e bëri në orët e vona të së shtunës gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion. Me këtë rast, ai bëri të ditur se të gjitha bizneset duhet të mbyllen deri më 3 prill për shkak të përhapjes së madhe të virusit të ri.

Italia tanimë ka marrë vendim për mbylljen e fabrikave të produkteve që nuk janë elementare për mbijetesë dhe e ka pranuar një ndihmë nga ushtria ruse, shkruan “The Guardian”.

Vetëm të shtunën, në Itali u regjistruan 793 viktima të reja të koronavirusit. Kjo ishte shifra më e madhe ditore që nga fillimi i përhapjes së virusit.

Me gjendje të rëndë janë duke u përballur edhe disa vende të tjera Evropiane, përfshirë Spanjën, Francën dhe Britaninë e Madhe.

Organizata Botërore e Shëndetësisë para disa ditëve deklaroi se Evropa është epiqendra e re e virusit Covid-19, pas përhapjes fillestare në Kinë.

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published.