Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar sot me 4 shtator marrëveshjen historike në Uashington.

Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Twitter, asistenti i presidentit Trump, Judd Deere.

“Donald Trump ka njoftuar se Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord për normalizimin ekonomik. Një marrëveshje tjetër historike e arritur nga ky President për ta bërë botën një vend më paqësor, më të begatë”, ka shkruar ai.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donlad Trump.

Takimi ndërmjet dy liderëve, të Kosovës dhe të Serbisë, ka nisur ditën e enjte dhe sipas këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, janë zhvilluar bisedime “shumë të mira” dhe se të dyja palët “kanë bërë përparim të vërtetë”.

Ndërkaq, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor, 2019, presidenti Trump, emëroi Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime.

Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel të hënën, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve.

Shpërndaje

Comments are closed.