‘Koronavirusi’ mund ta godasë edhe ekonominë kosovare

Gjendja në Kinë sa vjen dhe rëndohet pasi numri i viktimave nga “koronavirusi” ka shkuar deri në mbi 200 persona.

Ndërsa, numri i rasteve i të infektuarve po rritet deri në 2000 brenda 24 orëve dhe deri më tani numërohen mbi 10 mijë raste të të prekurve.

Organizata Botërore e Shëndetit shpalli gjendje emergjente globale për shkak të koronavirusit.

E as Kosova, nuk është imune nga virusi i ri që është shfaqur në Kinë dhe që ka prekur mijëra persona.

Kjo pasi, Kina është ndër vendet e para e cila eksporton sasi të madhe të mallrave në Kosovë, sidomos duke marrë parasysh raportimet e fundit nga infektologë botërorë, të cilët thonë se ky virus mund të mbijetojë nga 24 orë deri në shtatë javë në veshmbathje dhe në pako të mbyllura.

Se rreziku i bartjes së kësaj sëmundje ka alarmuar edhe bizneset kosovare, e bënë të ditur fakti se importi nga ky shtet vetëm gjatë dy javëve të fundit ka rënë për 30 përqind.

Kështu thonë nga Dogana e Kosovës.

“Kina është ndër pesë vendet e para për nga sasia e mallrave që importon Kosova. Por, sidoqoftë një pjesë e këtij importi janë pajisje mekanike, elektromotora apo edhe lodra për fëmijë. Ndërsa, ushqime të ndryshme apo produkte që mund të transmetojnë sëmundje të ndryshme nuk importojmë nga Kina” thotë zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci .

Syri.net Kosova gjatë javës ka provuar të kontaktoj me zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në lidhje me masat të cilat planifikojnë t’i marrin në lidhje me këtë çështje, mirëpo, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Nga burime jo zyrtare nga kjo ministri, për Syri.net Kosova bëjnë të ditur se deri tani nuk është marrë ndonjë masë, pasi, momentalisht situata sipas tyre, është nën kontroll dhe nuk ka nevojë për panik.

Në tregun kosovarë, poashtu edhe në atë në rrjetet sociale ekzistojnë shumë biznese të cilat shesin mallra me origjinë nga Kina, e ndër produktet më të importuara nga këto biznese janë lodrat për fëmijë.

Syri.net Kosova, ka kontaktuar me disa nga këto biznese, mirëpo ato kanë hezituar të flasin hapur për këtë temë.

Në kushte anonimiteti, ato deklarojnë se hezitimi për tu deklaruar vjen për shkak të frikës së përhapjes së panikut dhe humbjes së klientëve.

Se a do të ishte e arsyeshme, që të ketë pezullim të importit nga ky shtet, dhe sa do të ndikonte kjo në ekonominë kosovare, për Syri.net Kosova kanë folur njohës të kësaj fushe.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, për Syri.net Kosova thotë se në aspektin afatshkurtër ‘koronavirusi’ do i godasë bizneset kosovare, sepse, ky virus ka prekur stabilitetin e ekonomisë botërore, pikërisht, ekonomisë kineze, që ka ndikuar në zvogëlimin e eksporteve, e kjo situatë reflektohet edhe që të ndalet importi nga Kina.

“Në këtë situatë do të ishte e udhës dhe e domosdoshme që të ndalohet importi nga ky vend, pasi, kemi edhe informata nga AVUK që ka njoftuar se ka ndaluar importin e ushqimeve për bletë, sepse, dihet dhe ekzistojnë të dhënat se Kina, ishte ndër vendet e para për sasinë e mallrave që e importon Kosova, edhe pse përkohësisht u ndalua ky import”.

Sipas Bellaqës, Kosova ka alternativa tjera ekonomike në rast të ndalimit të importit nga Kina.

“Në Evropë, dominojnë pesë shtete të industrializuara nga tetë shtete në botë, që ekzistojnë, pra, përbërja e strukturës ekonomike botërore, si dhe shtetet tjera me qëndrueshmëri ekonomike, ku shumë mallra i importojmë nga këto shtete që kanë potenciale të mjaftueshme ekonomike, siç është Turqia, me një ekonomi shumë të fuqishme, pastaj Gjermania, Zvicra, Italia, etj. Ne kemi pasur dhe duhet që të zhvillojmë bashkëpunim ekonomiko-tregtar, duke lidhur edhe marrëveshje ndërshtetërore për tregti të lirë, sipas parimeve të ekonomisë së lirë apo tregut të lirë, gjithashtu, duhet të hapet edhe ekonomia kombëtare dhe të integrohet me vendet e BE-së”.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, për Syri.net Kosova, thotë se situata e krijuar është alarmante, por si e tillë ajo po neglizhohet nga institucionet.

“Është mëse e vërtet që lajmi tronditës në mbare botën është raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që ka shpallur një situate të jashtëzakonshme sa i përket virusit vdekjeprurës nga Kina. Pra dua të bësoj që institucionet vendore, duhet ta marrin me një seriozitet të veçantë një alarm të tillë, është koha ku duhet të ketë një mobilizim të të gjithë akterëve relevant që kanë të bëjnë me mbrojten e shëndetit në vend.

Sipas tij, AVUK ,Dogana e Kosovës dhe inspektoriatet e ndryshme, duhet të jene më aktiv se çdo herë, të bëjnë atë që është e mundur për të parandaluar përhapjen e një virusi të tillë, pasi ka dyshime se Kosova nuk është e përgaditur të ballafaqohet me sfida të tilla.

Ai u ka bërë thirrje bizneseve që importojnë nga ky shtet që në këtë situatë, ta harrojnë interesin personal dhe të mendojnë për popullatën.

Në të njejtën kohë, duhet edhe tregtarët vërtet , ta harrojnë interesin personal dhe të mendojnë për popullatën dhe shtetin që në këtë drejtim, brenda mundësive të ngadalesojnë procesin e të bërit biznes me Kinën dhe vendet aziatike. Prandaj vlerësoj se situata është alarmante dhe me keqardhje po them që në Kosovë, nuk po trajtohet kështu , derisa vendet e ndryshme janë duke marre masa për tu mbrojtur, në vendin tonë, kjo situatë po neglizhohet. Është koha që të veprohet pasi kam ndrojtjen se nëse tani nuk do të përgaditemi do të jetë nesër vonë dhe pasojat do ti paguajnë qytetarët.

Ndërsa në rast të një vendimi për pezullimin e importit me Kinën, Gërxhaliu vlerëson se kjo nuk e godet shumë ekonominë kosovare, pasi mallrat e importuara nga atje mund të zëvendësohen për një periudhë nga shtetet evropiane

Definitivisht duhet të kuptohet që interesi për të bashkëpunuar me Kinën, ka qenë shumë më tepër sa i përket levërdisë ekonomike, sepse çmimet kanë qenë mjaft të ulta, në krahasim me ato evropiane.Por një ngadalësim i këtij importi mund të zevendësohet me lehtësi me importe të njejta nga vendet evropiane, sepse në fund të fundit duhet të kuptohet që Kina është një imitim i brendeve produkteve evropiane, dhe në këtë drejtim, duhet të jetë target i yni për një kohë Evropa dhe vendet e Ballkanit Perendimorë, me qëllim që për shtet dhe komb të bëjmë më tepër sesa vetëm për interes personal ose grupor.

Për sigurinë e konsumatorëve kosovarë, për Syri.net Kosova ka folur edhe Selatin Kaçaniku, kryetar i organizatës ‘Konsumatori’.

Ai vlerëson se përveç vendimit për ndalimin e importit të ushqimeve për bletë, tani për tani, nuk kërkohen masa tjera mbrojtëse nga “koronavirusi” sa i përket ushqimeve.

“Me sa jam i informuar, Kosova nuk importon ushqime të cilat do të mund të prekeshin nga “koronavirusi”, ushqimi i vetëm për bletë është ndaluar së importuari nga Kina menjëherë me vendimin e AUVK-ut.“Koronavirusi” ka “jetë“ të shkurtë dhe nuk e di si do ta “përballonte“ transportin, prandaj, pemët e perimet nuk rrezikohen nga “koronavirusi“.

Kaçaniku ka bërë thirrje që të tash për tash të mos krijohet panik e panevojshme për qytetarët.

“Puna kryesore të cilën mund ta bëjmë aktualisht të gjithë është që, qytetari konsumator, bizneset, institucionet e mekanizmat e shtetit të qëndrojmnë gjakftohtë dhe mos të lejojnë që të krijohet panik i panevojshëm. Duhet t’i ndjekim këshillat e IKSHPK-së dhe të të gjithë personave profesionistë sa i përket mbrojtjes nga kanosja eventuale e “koronavirusit “.

Koronavirusi është familje e viruseve të cilat shkaktojnë sëmundje nga një rrufë e lehtë deri në sëmundje më të rënda e që mund të shkaktojë edhe vdekje. Ky virus është shpërndarë në gjithë Kinën dhe në së paku 20 shtete të tjera të botës.

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*