Koronavirusi: Korea e Veriut alarmon qytetarët të futen brenda, “një pluhur i verdhë po vjen nga Kina”

Koreja Veriore u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të qëndrojnë brenda për shkak të frikës se i ashtuquajturi pluhur i verdhë nga Kina mund ta sjellë koronavirusin.

Pas njoftimit të dhënë në një televizion të vendit komunist, raportohet se rrugët e kryeqytetit Pjongjang ishin pothuajse të zbrazëta, shkruan BBC.

Koreja Veriore pretendon se nuk e ka asnjë rast të koronavirusit, por është nën alarm të lartë që nga janari. Autoritetet i kanë mbyllur kufijtë dhe e kanë kufizuar në masë të madhe lirinë e lëvizjes.

Sidoqoftë, shkencëtarët deri më tani nuk kanë përmendur ndonjë lidhje mes përhapjes sezonale të pluhurit dhe sëmundjes Covid-19.

Mund të tingëllojë befasuese, por Koreja Veriore nuk është vendi i parë dhe as i vetmi që bën këtë lloj paralajmërimi.

Sipas ekipit të televizionit BBC për identifikimin e informatave të rreme, edhe Turkmenistani ka kërkuar nga qytetarët që të vendosin maska për shkak të pluhurit. Autoritetet e këtij shteti aziatik kanë mohuar se po mundohen ta fshehin përhapjen e koronavirusit.

Shpërndaje

Comments are closed.