Konjufca thotë se disa pika të marrëveshjes i ka konstruktuar Serbia dhe jo SHBA-ja

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se e mira e marrëveshjes në Uashington është vetëm vendosja e relacioneve diplomatike me Izraelin, për të cilën thotë se është pika më e fuqishme që është identifikuar ekipi të dialogut.

“Kur t’i vendosim katër pika tjera karshi kësaj, që është fillimisht tërheqja nga njohja, e dyta është krijimi i kësaj zone të lirë ekonomike bashkë me Serbinë ku ka pranuar të hyjë Qeveria e Kosovës në të ashtuquajturin projekt i Mini-Shengenit. Pra, para se të na njohë Serbia do që të krijojë një zonë të përbashkët ekomomike me Kosovën. Edhe Kosova kishte refuzuar deri tash me këtë Qeveri. Kosova e ka kritikuar vazhdimisht deri në momentin kur e qiti nënshkrimin Avdullah Hoti”.
“Përveç kësaj, për herë të parë në historinë e negociatave po fillojnë të relativizohen resurset e Kosovës. Nuk ka ndodhur në ndonjë proces prej 33 raundeve të problematizohen resurset e Kosovës. S’mbaj mend të jenë përmendur Ujmani apo Trepça sepse kjo është konsideruar se është çështje e ndjeshme dhe ka pasë rezistencë nga ana e Kosovës që këto të mos hapen sepse janë resurset më të rëndësishme të Kosovë Dhe këtu për herë të parë e kemi sikur edhe Serbia me qenë edhe hisenike e Ujmanit, që është shumë problematike për Kosovën”.

“Pika e katërt shumë negative për Kosovën është gatishmëria me vullnet të plotë që të suspendojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Pra, subjektivitetin ndërkombëtar një shtet e ushtron edhe duke e pasë të drejtën e vet për aplikim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare”.

Konjufca në Rubikon tha se për këtë heqje dorë e fajëson Qeverinë e Kosovës duke thënë se SHBA pa kursyer asgjë ka përkrahur Kosovën në antarsimin e saj në organizata ku ka pasë ndikimin. Ai shton se në këtë drejtim nuk është interes i SHBA-së që Kosova të pezullojë këtë aktivitet tepër të rëndësishëm për shtetësinë e saj.

Derisa tha se Serbia po shkel marrëveshjet e nënshkruara në Washington, Konjufca është i bindur se rëndësia e marrëveshjes duhet të jetë në përmbajtje dhe jo në vendin ku u nënshkrua – edhe pse këtë të fundit e konsideroi si të mirë për Kosovën.

“Kur hyn edhe e shqyrton përmbajtjen edhe e sheh se çfarë firme ka vendosur Qeveria e Kosovës, në ato pika që unë jam i bindur se i ka konstruktuar Serbia dhe jo SHBA-ja. Këto pika që kanë lidhje enkas me Serbinë”.

Shpërndaje

Comments are closed.