Haradinaj: Nuk ia japim prokurorit të Speciales materialet që i kemi pranuar sot, pa qenë prezent Policia e Kosovës

Drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë deklaruar se pakon e dytë me materiale të cilat pretendohet se janë dokumente të Gjykatës Speciale, nuk do ua dorëzojnë hetuesve të kësaj gjykate, nëse ata i kërkojnë, pa qenë prezentë edhe Policia e Kosovës.

Nënkryetari i OVL-së të UÇK, Nasim Haradinaj, i tha Telegrafit se ata nuk e pranojnë më këtë Gjykatë, pasi sipas tij, i ka skaduar afati.

“Këto kopje janë këtu, ne nuk kemi për detyrë t’i dorëzojmë përtej këtu. I bëjmë ftesë kush të dojë le të vijnë e t’i marrin. Vetëm një e kemi plan, Prokurorit Special më pa Policinë tonë nuk e kemi plan as këto kopje me ia dhanë. Nëse vijnë me policinë tonë ua japim, sepse për ne i ka skaduar afati i kësaj Gjykate”, tha Haradinaj.

Haradinaj theksoi se disa kopje të këtyre materialeve tashmë i janë dorëzuar gazetarëve.

“Këto dokumente që i kemi marrë tash, disa kopje ua kemi dhënë gazetarëve, janë disa kopje aty, tash kush të donë me ardh e me i marrë le të vjen. Kush të dojë”

Ndërkaq, sa i përket bisedës që është zhvilluar mes personit që i ka sjellur dosjet në zyrat e OVL-së së UÇK-së dhe stafit të organizatës, Haradinaj tha se i panjohuri që i ka dorëzuar këto materiale vetëm u ka thënë se do të vijnë edhe dokumente të tjera.

“Ai ka thënë që prapë ju vijnë material. Sa na përgjojnë di dje që i kemi zënë duke na përgjuar, ma mirë u kanë me e përgjuar atë. Na ju kemi kallxu krejt çka kemi, kemi me i qit, nuk fshehim asgjë. Na kemi kërkuar publikisht përmes televizionit, përmes medieve, nuk kanë ardhur as policia as askush më. Na kanë pyet më herët prokuroria e Kosovës nëse kemi material edhe ju kemi treguar që kanë ardhur e i kanë marrë ata të Speciales, herën e parë. Më nuk ka ardhur askush, as ata as këta, tash kush të vjen na e qesim.

Haradinaj tha se dera e organizatës së tyre është e hapur për secilin dhe se sa herë që dikush do të sjellë materiale ata do t’i publikojnë.

“Për ne është i mirëseardhur sa here të vjen na e qesim, pasi prokuroria s’po dojnë me u marrë na e qesim. Na jemi të hapur. Edhe me pasë ardh pa maskë ne i kishim marrë, me na i dorëzu na i kishim marrë”, tha ai për Telegrafin.

Ndryshe, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hyni Gucati gjatë një konferencë të jashtë zakonshme për medie, ka bërë të ditur se materiale të tjera janë dërguar në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë ditës së sotme.

Shpërndaje

Comments are closed.