Frank Lampard buzë shkarkimit

Frank Lampard do të shkarkohet nga posti i trajnerit të Chelseat, nëse paraqitjet dhe rezultat e skuadrës së tij nuk përmirësohen menjëherë.

Lampard është nën presion të madh pas humbjes së Chelseat 2:0 kundër Leicester City të martën, si pasojë e të cilës të kaltrit e Londrës ranë në pozitën e tetë në Premierligë.
Kjo ishte humbja e pestë në tetë ndeshjet e fundit në Premierligë për Chelsean.

Pas ndeshjes, Lampard u mbrojt për paraqitjet e dobëta të Chelseat së tij duke thënë se skuadra është në tranzicion, por e pranoi se e ardhmja e tij në klub nuk është më në dorën e tij.

Pasi i shpenzoi mbi 200 milionë euro në verë për ta përforcuar skuadrën me lojtarë si Hakim Ziyech, Timo Werner dhe Kai Havertz, shumë njerëz e cilësuan Chelsean si favorit për ta fituar titullin e parë në Premierligë që prej vitit 2017, por rezultat e dobëta ia kanë shuar shpresat për titull tani.

Chelsea është nëntë pikë larg kreut të Premierligës.

Massimiliano Allegri dhe Thomas Tuchel shihen si pasardhës të mundshëm të Lampardit.

Shpërndaje