Filluan të bien tam tamet e servilizmit

Shkruan: Denis Dyrnjaja

Kjo grirja e sallatës tani, sidomos në Tiranë për atë ndodhi në Washington të përzien barkun. Të gjithë ata që sulmuan Trumpin dhe të dërguarin e tij Richard Grannell, sot kthyen “ventilatorët e freskut” nga përtej Atlantikut.

Në mënyrën më të pështirë dhe në një inkoherencë të thellë sot rreshtohen kush e kush më parë të fryjë tallazet e lëvdatave dhe sikur nuk ishin këta që flisnin kundër një marrëveshjeje në Washington dhe se Berlini ishte tanimë garanti i duhur i Kosovës dhe çështjes së saj dhe jo SHBA. Në fakt procesi përgatitor për këtë marrëveshje të arritur sot në Washington, pësoi një përthyerje të fortë rrugës për të prodhuar këtë marrëveshje të minutës së fundit, e cila nuk ka qenë projektuar e tillë 6 muaj apo një vit më parë. Amerikanët ribënë kalkulimet dhe kuptuan që në interes të të gjithëve ishte ruajtja e tërësisë territoriale të Kosovës dhe arritja e një kompromisi me patjetër mes Prishtinës dhe Beogradit si një kartë elektorale që Trumpit i duhet ta përdorë si një sukses në fushatën presidenciale. I mjaftojnë dy elementë për të thënë sa i zoti është ai dhe administrata e tij. Bëri atë që sërish Europa se bëri dot dhe së dyti i dha një dorë Izraelit duke shtyrë një njohje më shumë për Jerusalemin si kryeqytet të shtetit hebre. Pra krejt pragmatiste si lëvizje.

Trumpit i duhej një kartë e një suksesi diplomatik ndërkombëtar dhe e mori. Shqiptarët dhe Kosova në veçanti ishin me fat që interesat këtë herë përkuan në fund të një marrëveshjeje që u nis ndryshe dhe përfundoi ndryshe, për fat të mirë në parim me avantazhe për shqiptarët të cilët sot fituan thuajse edhe në mënyrë rastësore simpatinë e Trumpit i cili për hir të së vërtetës e sheh gjithçka si biznes politik në interes personal. Këtë herë biznesi përkoi për mirë, por mund të përfundonte edhe ndryshe dhe kjo thjeshtë dhe vetëm për një detaj të vogël humorin e Trumpit, por dhe të emisarit të tij Richard Grannell i cili kapërceu mbi emocionet personale të fyerjeve dhe proçkave alla shqiptare për të fituar një bonus të madh diplomatik në CV-në personale. Kjo pjesa tjetër pastaj e reagimeve këtej anëve tona është bajate sa vetë intuita dhe pafuqia jonë për të bërë ndonjë gjë vetë, e aq më tepër ndonjë gjë të hajrit.

Kosova ishte me fat, ndoshta dhe fati është tregues se dhe koha punon për shqiptarët.

Shpërndaje

Comments are closed.