Evropa dhe ne shqiptarët….sa afër dhe larg saj!

Antishqiptarizmi shqiptar një rrezik kombëtar. Një gjeneral i huaj, pasi kishte lexuar një artikull në një gazetë të huaj, të një deputeti dhe personaliteti opozitar shqiptar, ku në një faqe wordnuk kishte gjetur asnjë fjalë të bardhë por vetëm zi (drogë, banda kriminale që kërcënojnë Evropën, korrupsion…..etc); i trembur nga ky informacion, pasi kishte parashikuar pushimet në vendin tonë, më këshilloi: Zbrasni trastat e urrejtjes kur kaloni kufirin, punoni dhe loboni për vendin tuaj. Zënkat i lini në shtëpinë tuaj, jashtë kufirit ato ju bëjnë dëm, madje në diplomaci quhet dështim, nuk merrni përkrahje nëse kërkoni ndryshimin tek urrejtja për vendin. Kjo gjuhë komunikimi ju bën të pabesueshëm, jo seriozë për Evropën, këtë nuk e kuptoni. Të duash vendin tënd është ndjenjë dhe detyrë, por dhe është mallkim ta shesësh atë rrugëve të botës për hir të partisë. Tepria e diskriminit nuk rrëzon qeveri, por helmon vetveten dhe të tjerët. Një shok shqiptar me bindje partie, por dhe i penës më këshilloi: Shkruaj sa më shumë errësirë, lëre patriotizmin, ky vend kështu e do. Nuk i ktheva përgjigje, heshta….. të nesërmen i tregova këshillën e gjeneralit akademik të huaj. Unë e di, vendit tim i mungojnë shumë e shumë standarde. Ne ndërtuam një diplomaci pa frena, me shumë aksidente, ndaj shpesh revoltohem duke dalë nga karakteri im për ata që kanë pasur dhe kanë të drejtën për qeverisje, për katrahurën shqiptare në vite, por jashtë kufirit Shqipëria për mua është më i miri vend në botë. Jam edukuar dhe formuar dhe po edukoj familjen time ta dua vendin tim. Provat e besnikërisë i kam dhënë në shtypin e huaj, atje ku ishte vështirë të shkruaje dhe të botoje atë situatë katandisje që ne po kalonim, por unë zgjodha gjuhën e diplomacisë për të mirën e vendin tim. Këtë radhë në këtë shkrim po largohem nga të rrezikshmit antishqiptarët-shqiptarë, po i rikthehem të nderuarës Evropë, po i drejtohem për popullin tim, partitë janë rotacion ndoshta dhe sezonal. E munguara Evropë. Në bindjen time, Shqipëria virtuale është larg asaj reale, e shikoj si peng i politikanëve dritëshkurtër, i lobingut të pamjaftueshëm prezantimi nga diplomacia shqiptare, edhe keqprezantuar nga të akredituarit në Tiranë, edhe pse ata ligështohen kur mbarojnë mandantin e tyre diplomatik në vendin me statusin e stërgjatur, herë herë i nofkuar “vend me siguri të kufizuar”. Kështu, vendi ynë është pak i njohur dhe i prezantuar keq edhe nga partitë opozitare që kërkojnë gjithmonë rotacionin, jo në vlera demokratike, por në nxirjen e vendit duke e quajtur delja e zezë e botës. Përtej këtij realiteti, përse RSH qëndron e bllokuar në portat e Evropës? Le të vlerësojmë disa elemente (histori, gjeografi, kulturë) apo standarde të arritura, duke formuar mbi to pyetjen: RSH duhet të jetë në Evropë? Në këtë artikull, sipas analizës time, tërheq konkluzionin se hezitimi evropian është jo i duhuri, ndoshta kërkon një reflektim në gjerësinë dhe perspektivën e këtij vendi, të rajonit apo të vet Evropës. Shqiptarët janë pjesë e pemës evropiane, gjeografikish, politikisht, ekonomikisht, më tepër janë pjesë e kulturës, civilizimit dhe vlerave të saj madhore. Nuk mund të ndahet identiteti shqiptar nga ai evropian. Qartazi evropianët duhet të kuptojnë se “de facto” ne punojmë e jetojmë në Evropë, dhe prej kohësh jemi atje. Aktualisht, më shumë se ½ e popullsisë shqiptare punojnë në kuadrin e emigracionit legal të mirëkontrolluar në disa nga vendet kryesore të botës. Bashkëatdhetarët e mi, jetojnë, punojnë e studiojnë ashtu sikurse çdo banor tjetër i Evropës, të integruar me mendësi dhe punë në kontinentin e vjetër. Do të deshifroj për të faktuar se, 800 e ca mjekë dhe mbi 2000 infermiere kohët e fundit u larguan, të formuar në sistemin tonë arsimor dhe sot punojnë denjësisht si qytetarë në shtetet e Evropës, ligjërisht të bllokuar në portat e saj, duke boshatisur shërbimin tonë shëndetësor. Të shumtë janë edhe në fushat e tjera të jetës, ekonomike deri dhe në pedagogë universiteti, ata janë asete kombëtare të këtij vendi, por tashmë janë në shërbimin evropian. Asnjë nga vendet e rajonit nuk e ka këtë gjerësi integrimi evropian të qytetarëve të tyre, që unë e vlerësoj fatkeqesi për të ardhmen e vendit tonë, por është kontribut real për Evropën dhe sigurisht kulturë dhe mirëqënie plus për situatën ku ndodhemi ne. Është pikërisht kjo kulturë perëndimore shqiptare, që i propozon rajonit tonë të konfliktuar bashkëpunim në të gjitha fushat, madje si ushtarak kërkoj hapësira edhe në fushën e mbrojtjes, të cilat do të jenë urat e bashkimit bindës midis popujve të këtij rajoni të trazuar. Le të ndalemi pak tek ndasitë fetare të botës, ku faktet janë të hidhura. A nuk është një vlerë evropiane fakti që popullsia shqiptare ka predikuar në harmoni të plotë, për shekuj me radhë tre fe: myslimane, ortodoksë dhe katolikë dhe në shekuj kurrë nuk janë krijuar organizata të vëllazërimit mysliman, siç po ndodh sot në botën e konfliktuar nga ndasitë fetare që kanë përfunduar në luftra barbare? Ç’po ndodh në Afrikë, Egjipt, Palestinë dhe në tërë botën arabe? Luftë fetare…. me përmasa globale. Evropa që të lëvizë përpara e bashkuar, duhet të fshijë nga harta e mendimit këtë të keqe të njerëzimit. A nuk do të ishte Shqipëria një shembull bashkëjetese fetare për Evropën moderne? A do mundet që tetori i ardhshëm të shtrojë në tavolinën evropiane këtë virtyt të bukur shqiptar, bashkëjetesën dhe dakordësinë fetare? Analistët dhe strategët ushtarakë duhet të kuptojnë se qendra e gravitetit të luftrave të sotme është spostuar drejt kësaj ndasie fetare, madje duket se po largohemi nga gjeopolitika tradicionale e lindjes dhe bërjes së luftës. Nëse do të ketë vullnet për të njohur këtë fatkeqësi që po kalon bota sot, duke prodhuar terorristë me shumicë, RSH do të ishte modeli më i mirë i kërkuar, sadopak për të zbutur egersinë çnjerëzore, ndasitë fetare që po gërryejnë botën sot. Evropa nuk duhet të mbetet viktimë e fjalive rutinë në diskurse partiake opozitare: drogë, krime, korrupsion. Ajo duhet ti hapë portat për ti luftuar këto fenomene së bashku, duke çliruar edhe Holandën moderne si vend pritës dhe kërkues të këtyre trafiqeve që vijnë nga vendi ynë, për ti ushqyer ata me këto vese-sëmundje të shoqërisë mbarë botërore. Le të luftojmë me forca të përbashkëta sigurie pabuksitë shqiptare që i kultivojnë dhe po kaq fort porositësit, të pasurit perëndimorë që i shijojnë. Ne pranojmë se Bashkimi Evropian e ka forcën e shkopit, me të drejtën për të kërkuar nga shqiptarët standarde evropiane të sjelljes, shtet ligjor, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, drogës, dhe të tjera fenomene që vijnë dhe shkojnë drejt vendeve të këtij kontinenti, por me bekimin mafioz evropian. Ne kërkojmë dhe presim me padurim të mirëpriturin veting, për të verifikuar edhe investimet e tyre; jemi në rrugën e mirë për ta bërë atë, nga ana tjetër shqiptarët i kërkojnë evropianëve rolin e dirigjentit të zbatimit konkret, të këtij revolucioni të shpresuar në këto vite demokracie. Bazuar në formimin si ushtarak do t’i kujtoj Evropës të post të padëshirueshmes “Jo”. A është vlerë uniteti i gjithë popullit dhe spektrit të saj politik për të mbështetur çdo lloj operacioni, kur ai kërkohet për të mbrojtur lirinë e popujve, vlerë që në situata krize si vendet e rajonit, BE dhe vende anëtare të NATO-s nuk kanë dakordësinë e veprimit? A është vlerë që për shqiptarët NATO konsiderohet ideal, edhe pse kjo nuk është për të gjithë vendet e kontinentit tonë? A është vlerë që RSH i propozon rajonit tonë të konfliktuar bashkëpunim në të gjitha fushat edhe në fushën e mbrojtjes, ku këto vende stepen? A është dakordësia shqiptare unike përballë kërkesës për sigurinë e popujve? A është vlerë që popullsia shqiptare ka predikuar në harmoni të plotë, për shekuj me radhë, tre fe: myslimane, ortodoksë dhe katolikë dhe në shekuj kurrë nuk janë krijuar organizata të “vëllazërimit mysliman”siç po ndodh sot në ballkan dhe në botë. Evropa duhet të kuptojë se Republika e Shqipërisë ka vërtet shansin e vendndodhjes, pozicionin e favorshëm gjeo-strategjik për rajonin, Evropën dhe më gjerë, nga ku ajo vlerësohet në zonën pothuajse të përgjegjësisë së operacioneve të pritshme në këto hapësira, për të kontribuar duke vënë në dispozicion hapësirat e saj detare/ajrore, porte dhe aeroporte, që kanë vlera dhe kontribute ushtarake më shumë se njësi të mëdha e mjete luftarake moderne. Por…..! Nëse shtërngesat evropiane do të vazhdojnë ritualin e tyre, përse jo, ky shans mund t’i drejtohet dhe gjeostrategjisë të aleatëve të dikurshëm strategjik… (Rusi/Kinë); por kjo nuk do të ndodhë, shqiptarët jane banorë në territorin evropian. RSh nuk mund të bëjë presione me aleatët e saj të vjetër për plasdarmën ballkanike të shumë kërkuar prej tyre, siç nuk hezituan ta bënin fqinjët e saj, Greqia që kërkonte ndihma nga BE (370 miljard $) dhe nga ana tjetër harxhonte miliarda për avionë dhe tanke për forcat e armatosura-

Pro Qipro (për 850 mijë qipriotë, BE zgjidhi kuletën me 12 miliardë euro) si shpërblim për mos t’iu bashkuar Rusisë. A mos vallë Serbia vërtet ka krijuar vlera në rritje demokratike, të vlerësueshme që po tërheq gjithnjë në rritje kujdesin evropian, disi dhe me servilizëm prej saj? Për merakun drogë le të mobilizohemi së bashku. Të bashkuar jemi më të fortë për të luftuar drogën edhe terrorizmin që po merr jetë njerëzish kudo në botë. Vjeshta e ardhshme, do të duhet të jetë dita që do të ndajë radikalët evropianë nga qytetarët e vërtetë të saj; do të jetë dita provë që Shqipëria të jetë ose jo viktima e këtyre zënkave evropiane. Në tetorin e ardhshëm Bashkimi Evropian e kishte, e ka dhe do ta ketë autoritetin që i japin vlerat dhe po aq edhe gjeografia për të kërkuar nga shqiptarët standarde evropiane të sjelljes, shtet ligjor, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, drogës, etj. Në tetorin e ardhshëm BE-ja do ta ketë, njëherësh, edhe detyrimin për të ndihmuar dhe për ta bërë këtë vend të vogël pjesë të saj. Në vjeshtën e ardhshme, duke e pranuar Shqipërinë me statusin e vendit kandidat, Evropa do të pranojë rreth 7.5 milionë, sa shqiptarë e po aq sa edhe evropianë, do të pranojë më tepër ekonomi dhe civilizim të shoqërisë shqiptare dhe asaj rajonale. RSH me kohë është futur thellë në këtë Evropë. Ajo është prezente në jetën ekonomike, politike, familjare të këtyre shteteve me të mirat dhe të këqijat e saj. Në BE ndjehet, apo është krijuar një çarje në vet shtetet e saj, duke krijuar edhe blloqe: nga njëra anë shihen interesa të vendeve anglosaksone për shkëputje, dhe nga ana tjeter kemi qëndresën franceze si ideatore dhe ajo gjermane si investitorja kyesore e BE, vendet e tjera evropiane, që janë shtyrë në krizën ekonomike, të cilat janë për një forcim të saj, pra duket ndarja e shteteve elitë nga shtetet evropiane në nevojë. Situatat e reja ekonomike kanë shtuar dhe frikën nga një gjeopolitikë e re gjithnjë në ndryshim e Rusisë, por dhe shumë dyshime për natyrën e rritjes dhe prezencës ekonomike të Kinës apo Turqisë. Frika ndaj kësaj të fundit mbarset edhe me dyshimin se zgjerimi i saj drejt vendeve ballkanike mund të përcjellë vlera jo evropiane, përkatësisht islamike. Së fundmi, Ballkani sillet herë-herë pengesë për zhvillimet e Evropës ndaj ajo ka frikë zgjerimin drejt tij. Unë e di, Ballkani është me popull dhe politikanë “nevrikë”, që ka histori dhe gjuhësi, harta dhe doktrina, traktate me ambicie ushtarake, ka dogma fetare, kisha dhe xhami të pafundme, të përziera me lashtësi dhe tradhëti, etc. Të gjitha janë hezitime për Evropën, por ajo që i mbron ballkanasit është bashkëpunimi me vendet perëndimore, zhvillimi i ekonomisë me tutor evropian, ajo i vulos dhe i gropos të gjitha. A do të vazhdojë kjo Evropë të mbetet njëherësh e kërkuara e po aq e pa arritshmja jonë? Këtë herë, ne besojmë te vetja, e po aq besojmë edhe te Evropa, e kërkojmë në modelin “tutorin e gabimeve tona”. Le të shpresojmë… Kjo ishte përgjigja për gjeneralin akademik duke e mbyllur bisedën. Zoti gjeneral, sot në mëngjes herët u përshëndeta me ambasadorin e vendit tuaj, i veshur sportiv që vraponte nga liqeni i Tiranës. Mos u frikësoni, jeta është me e sigurt këtu se tek ju. Gjeta mirëkuptimin me këtë dashamirës të huaj.

Nga Zaim Kuçi

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*