Ekonomia e Kosovës do të rritet me 3.7 për qind

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se projeksionet e BQK-së për vitin 2017 sugjerojnë se ekonomia e Kosovës do të karakterizohet me rritje reale prej 3.7 për qind.

“Kjo rritje pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, ndërsa neto eksportet parashihet të kenë ndikim më të vogël negativ në BPV. Konsumi, si komponenta kryesore e kërkesës së brendshme, pritet të shënojë rritje reale prej 2.1 për qind, bazuar në pritjet që konsumi privat do të rritet me 2.4 për qind dhe konsumi publik me 0.6 për qind. Faktorët që pritet të ndikojnë në rritjen e konsumit privat, ndër të tjera, janë edhe rritja e remitencave dhe rritja e kredive. Deri në fund të vitit 2017, remitencat pritet të shënojnë rritje vjetore prej rreth 2.8 për qind”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së, raporton RTKlive.

Sipas BQK-së, kreditë për ekonomitë familjare, të cilat në vitet e fundit kanë shënuar rritje të konsiderueshme, 14.7 për qind në vitin 2016 dhe 9.3 për qind në vitin 2015, pritet të vazhdojnë këtë trend të rritjes edhe në vitin 2017.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn
Lexoni po ashtu:  Shpeztarët kërkojnë importimin e vezëve nga Shqipëria