Brenda festës së abetares në shkollën “28 Nëntori” – Raushiq

 Jemi mësuar që zakonisht festat e këtij lloji në përfundim të klasës së parë, të mbyllen me program të shumëfishtë duke filluar nga shkronjat e deri tek pjesa artistike, e manifestuar me këngë e valle.

Por, nxënësit nga shkolla fillore e mesme e ulët  “28 Nëntori” ishin shumë të veçantë, për faktin se, festa përmbante një mori pikash programore, të cilat u prezantuan nga vogëlushët e klasës së parë, gjë që rezultoi me performanca fantastike, të rralla dhe me mesazhe didaktike për audiencën.

Pjesëmarrës në këtë program kulturo-artistik ishin mësimdhënës të lëmive të ndryshme, prindër e familjarë të të vegjëlve, drejtoresha e shkollës dhe shumë mysafirë të tjerë,  të cilët e vlerësuan lart përgatitjen edukative që u transmetua në program.

Të njëjtin vlerësim e dha edhe drejtoresha e shkollës Florentina Ademaj-Fetahaj, e cila u nda mjaft e kënaqur me arritjen e nxënësve, duke iu uruar atyre suksese në rrugëtimin e dijes. Ajo po ashtu ka falënderuar edhe mësuesen e kësaj klase Mirvete Krasniqi-Veselaj, të cilën e përgëzoi për punën e palodhme dhe dashurinë e pakusht që e reflektoi gjatë tërë vitit shkollor.

Më tej, edhe zonja Krasniqi-Veselaj përmes një fjalimi të shkurtër ka shprehur falënderimet e veçanta për të gjithë pjesëmarrësit, e në mesin e tyre dedikimet më të përzemërta i kishte për prindërit e vogëlushëve, që në asnjë moment nuk hezituan të kontribuojnë për arsimimin e denjë të fëmijëve të tyre.

Në kuadër të planprogramit  këto ishin disa nga pikat e performuara: poezi për çdo shkronjë alfabeti, këngë, vallëzime, kuiz, aktrim etj., për ta përmbyllur me ndarjen e certifikatave dhe mirënjohjeve për secilin nxënës, përmes të cilave u vlerësua kontributi i secilit prej tyre përgjatë periudhës të klasës së parë.

Më poshtë mund t’i shikoni disa pamje të kësaj feste dhe njërin nga vallëzimet, ku ky vallëzim nga publiku është konsideruar si pika më emotive dhe e veçantë për llojin dhe mesazhin e përçuar, shkruan PaRrotlla.net.

 

 

 

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*