Bekim Brestovci: Ja plani im për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës

Ai ishte larguar në vitin 1993 si i përndjekur politik nga Kosova, por kontributin e tij për vendin nuk e ndaloi asnjëherë. Pas 26 vitesh, sot Bekim Brestovci është një nga afaristët më të suksesshëm shqiptar dhe është kthyer në Kosovë për të vijuar ëndrrën për të cilin kishte punuar.

Brestovci, që është pjesë e Nismës, është në listën për deputetë të koalicionit që partia e tij e ka me AKR-në dhe Partinë e Drejtësisë. Ai është kthyer së bashku me familjen para më shumë se një viti . Mirëpo, kërkon që përvojën dhe përpjekjet e tij në ekonomi të institucionalizohen.

Kontributi i Brestovcit për Kosovën ka të bëjë me Fondin 3% si dhe me atë “Vendlindja thërret” si dhe me organizimin e protestave dhe demonstratave në vendet perëndimore në mënyrë që zëri i shqiptarëve për mëvetësi të dëgjohet.

Ndërsa, pas shkollimit adekuat, në vitin 2004 Brestovci arrin të blejë ndërmarrjen e parë që ishte themeluar në vitin 1972 dhe pastaj biznesin e tij ta zgjeronte duke krijuar edhe 10 ndërmarrje të tjera më rreth 1300 të punësuar.

Në intervistën “Kandidatët” për KosovaPress, Brestovci tha se kërkon të zgjidhet deputet për të përfaqësuar vullnetin e qytetarëve dhe për të ndihmuar bizneset të implementojnë forma të reja të biznesbëries në Kosovë.

“Deputetin e shoh si një menaxher të vullnetit të qytetarëve do të thotë puna ime do konsistojë në menaxhimin më të mirë të mundshëm të një vullneti qytetar. Natyrisht kërkoj gjithherë që qytetarët ta gjejnë formën e duhur për ta artikuluar vullnetin e tyre dhe për ta transmetuar deri tek të zgjedhurit e tyre. Mirëpo ajo çfarë mund të premtoj është se do të mbetem vetëm menaxhues i vullnetit të qytetarit edhe gjatë mandatit tim si deputet nuk do të merrem me asnjë çështje tjetër. Unë në Kosovë nuk kam ardhur për të zhvilluar biznes vetanak, kam ardhur për t’i ndihmuar bizneseve të tjera, për të sjellë formate të tjera të biznesbëries në Kosovë, mirëpo individualisht më nuk e kam çështje jetësore të merrem me biznes, kështu që tërë kohën time do ja kushtoj krejt mandatin vetëm të jem menaxher i mirë i vullnetit të qytetarëve dhe t’i përfaqësoj interesat e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Premtoj që do të jem një profil shamë më ndryshe i një politikani se sa profilet që jemi mësuar t’i kemi parë në skenën politike e të tjerat mbeten me u pa si rezultat i punës sime”, deklaroi ai.

Brestovci thotë se falë përvojës së tij, ndikimi i tij i drejtpërdrejt do të jetë në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Ai propozon një model të ri që ka të bëjë me krijimin e zonave industriale nga bizneset e diasporës shqiptare ku pastaj do të participojë edhe kapitali i huaj.

Po ashtu, Brestovci thotë se do të punojë që tregu për prodhimet vendore të zgjerohet në të gjithë Evropën e në veçanti të jenë pjesë e tregut gjerman.

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*