Bëhuni pjesë e shpresës, dhe jo e dhunës

Shkruan Edlira Qefalija-Zeka

Kur isha në vitin e tretë në fakultet, në vitin 2000, pata një profesor të çuditshëm, që në vend të ligjëronte për Elektronikën, të cilën e studioja, na mbante leksione për jetën, psikologjinë e grupit dhe shqiptarët në përgjithësi. Kërkoj ndjesë që emrin nuk ia mbaj mend, por ishte vetëm një semestër dhe më shumë nuk vinte se që vinte. Ama mbaj mend shumë mirë se çfarë na tha në orën e parë, në ditën e parë të lëndës së tij:

Ju, çuna dhe goca, jeni një produkt i egër i kësaj Shqipërie të çuditshme. Mesatarisht të lindur në 78-80, keni njohur nga afër komunizmin. Enveri vdiq në 85 kur një pjesë e juaja ka qenë në klasë të parë apo të dytë dhe e mbani mend mirë atë psikozën e përgjithshme të çarjes kolektive nëpër rrugë.
E keni jetuar periudhën e 87-90, apo siç njihej ndryshe, periudha e tallonit me 250 gram mish (të quajtur lope, por kush e dinte se çfarë ishte, pasi mund të ishte edhe mish qeni për aq sa dikush të jepte informacion) në javë për një familje prej 4-5 vetash.

E keni jetuar periudhën e frikës së shprehjes së lirë, kur nuk guxoje të thoje as që edhe Zoti ekziston, sepse frikësoheshe mos t’i fusnin prindërit në burg, edhe pse në familje pëshpëritej larg teje ndonjë lutje, apo edhe thjesht shprehja tipike “ Mos o Zot! “ nëse dëgjohej për ndonjë gjëmë.
Ju çuna dhe goca, keni jetuar DHUNËN. Keni jetuar 90-ën, kur gjithë shqiptarët që mbetën në këtë vend dhe nuk arritën të arratiseshin me anije apo ambasada, në emër të urrejtjes ndaj një sistemi prishën çdo gjë që iu doli përpara. Atë pak industri të ndërtuar kryesisht me gjakun e mijra të burgosurve politikë, dhe shumë punonjësve të vërtetë që në mos me vullnet, të paktën punonin ndershëm.

U shkatërruan dhunshëm fabrikat dhe uzinat. U prishën të gjitha ndërmarrjet publike. U prishën deri edhe taracat e portokalleve, gjë që nuk e kam kuptuar kurrë, se çfarë faji kishin portokallet pse ishin mbjellë e kishin mbirë gjatë kohës së komunizmit. U shkatërrua prona private në emër të ndarjes kolektive të tokës. Shyqyr që nuk u prishën hidrocentralet, sepse atëherë vërtetë do të kishim përfunduar në terr total, përfshirë edhe atë psikik.

Ju çuna dhe goca, keni jetuar DHUNËN. Keni jetuar 97-ën, kur gjithë shqiptarët humbën atë pako gjë që kishin vënë mënjane për tiu gjendur në një ditë të zezë, dhe u gjendën në ditë të zeza me asgjë tjetër përtej shpirtit. Dhunë, marrëzi kolektive, armë, shkatërrim, dhunime pa fund, përdhunime për të cilat askush nuk flet, rrëmbime njerëzish të cilat zveniten përballë forcës së të fortit të lagjes dhe mungesës së zbatimit të ligjit. Po për çfarë ligji flasim, kur gardisti hidhte kapelen teksa kapërcente murin, polici fshihej qosheve, dhe prokuroria ishte jo ekzistente, ndërsa burgjet u hapën dhe të gjithë ishin “të lirë” të bënin çfarë t’ju tekej.

Ju çuna dhe goca, përjetuat edhe Kosovën. Për ju ndoshta, dukej e largët. Atje larg bëhej luftë. Siç bëhet luftë diku larg në Afganistan. Por, kur gjaku juaj erdhi dhe njerëzit mbushën fushat dikur bosh të sporteve, plot me çadra të të shpërngulurve, prindërit tuaj e ndanë çatinë dhe bukën (me aq pak sa kishin) me ata njerëz në nevojë që kishin ardhur prej DHUNËS, tmerrit dhe çnjerëzisë. Ju ende nuk jeni të vetëdijshëm se çfarë do të thotë të ikesh nga zjarri e të gjesh një zemër të varfër, por të ngrohtë plot buzëqeshje që të pret krahëhapur. Shpresoj të mos e dini kurrë!
Ju çuna dhe goca, jeni brezi i vuajtjeve. Ju jeni brezi i sakrificës. Ju jeni brezi që përballeni çdo ditë me frikën e të ardhmes. Një e ardhme që ndërtohet si kështjella e Rozafatit. Sot dy tulla, nesër një shkelm. Pasnesër edhe dy tulla të tjera, e ditën e tretë një tërmet. Dhe pse? Sepse në këtë vend çdo gjë që ndodh ecën me parimin “Ngrihu prift të ulet hoxha”.
Ju çuna dhe goca, jeni ata që për shkak të pamundësisë ekonomike, apo edhe për shkak të atij pak patriotizmi që ka mbetur tek prindërit tuaj, keni vendosur të jetoni dhe të studioni dhe të investoni në këtë vend të quajtur vendi i Shqiponjave, ku edhe shqiponjat i kanë zhdukur nga qielli për t’i vendosur në ndonjë banak kafeterie të balsamosura. Mos flasim pastaj për pyjet që janë çrrënjosur pa fund. Na ka mbetur vetëm poezia e Naim Frashërit për të kujtuar dhimbshëm, që dikur kemi patur “lisat’ e gjatë! Fushat e gjëra me lule! Bregoret bukuroshe e lumenjt’ e kulluar! Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar. “
Ju jeni brezi që me dhimbseni më shumë nga të gjithë, sepse ju jeni brezi I DHUNËS. Dhe vetëm dhunën njihni si mënyrë shprehje kolektive në këtë vend. Dhuna ju ka shoqëruar që nga 90-a e deri më sot, dhe sa herë qe i jepet mundësia ajo shfaqet përbindshëm, duke shkatërruar çdo gjë të mirë të ndërtuar me aq shumë mund nga të gjithë ata që në fund të fundit kanë vendosur të bëjnë punë të ndershme.
Çuna dhe goca, mos u bëni pjesë e dhunës. Bëhuni pjesa e shpresës së këtij vendi. Pjesa intelektuale e këtij vendi. Pjesa e mirë dhe e bukur e këtij vendi. Bëhuni prindër të mirë, dhe jepini një të ardhme këtij vendi të nëmur që në gjenezë, kur u mat me lëkurën e djallit”, /PARROTLLA.NET/

Kur isha në vitin e tretë në fakultet, në vitin 2000, pata një profesor te çuditshëm, që në vend të ligjëronte për…

Posted by Edlira Qefalija Zeka on Thursday, February 21, 2019

Shpërndaje

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*