Armenia fut në fuqi ligjin e luftës, Turqia thotë se do ta përkrahë Azerbajxhanin në çdo formë

Armenia e ka shpallur në fuqi ligjin e luftës dhe ka urdhëruar mobilizim të tërësishëm të ushtrisë pasi pretendoi se i ka shkatërruar disa helikopterë dhe tanke të Azerbajxhanit gjatë përleshjeve në një rajon të kontestuar.

Autoritetet armene thanë se Azerbajxhani ka kryer sulme nga ajri dhe me artileri në rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut, por Azerbajxhani tha se vetëm u është kundërpërgjigjur bombardimeve nga Armenia.

Aktivistët e të drejtave të njeriut në Armeni thanë se dy civilë – një grua dhe një fëmijë – janë vrarë nga bombardimet e Azerbajxhanit, shkruan The Guardian.

Në anën tjetër, zyrtarët në Baku, kryeqytet i Azerbajxhanit, thanë se një numër i papërcaktuar i civilëve janë vrarë dhe gjashtë janë plagosur. Nagorno-Karakaku tha se 10 pjesëtarë të stafit ushtarak janë vrarë. Nuk ka qenë e mundur që këto raporte të konfirmohen menjëherë.

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha të dielën se trupat e saj i kanë shkatërruar tri tanke dhe i kanë rrëzuar dy helikopterë e tre dronë si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Azerbajxhanit ndaj caqeve civile.

Turqia ka lidhje të fuqishme ekonomike dhe kulturore me Azerbajxhanin dhe ka kërcënuar se do t’i qëndrojë në krah këtij vendi në çfarëdo konflikti. Kështu ka thënë ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Në muajin korrik, disa ushtarë nga të dyja palët u vranë gjatë përleshjeve të armatosura përgjatë kufirit të kontestuar.

Konflikti që ka mbetur i pazgjidhur qe disa dekada paraqet shqetësim për Perëndimin, sepse shërben si korrikor i gazsjellësit dhe naftësjellësit nëpër të cilët kalojnë këto burime energjie nga Deti Kaspik në tregjet botërore.

Shpërndaje

Comments are closed.