Arabia paralajmëron SHBA: Të tërhiqet vendimi për 11 shtatorin

Të mërkurën, Kongresi amerikan rrëzoi veton e Presidentit Obama, duke lejuar kështu që familjarët e afro 3.000 viktimave të kenë të drejtën e paditjes. 15 nga 19 rrëmbyesit e asaj dite ishin me kombësi saudite, por mbretëria ka mohuar të ketë patur rol në sulmet e vitit 2001.

Në të njëjtën linjë me Obamën, edhe ministri i Jashtëm saudit argumentoi se shkatërrimi i imunitetit sovran do të kishte një ndikim negativ mbi të gjitha kombet, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, liderë të Partisë Republikane në Kongres kanë thënë se ata duan të rishikojnë ligjin, pasi pranuan se ligjbërësit nuk i kishin kuptuar pasojat e mundshme të këtij legjislacioni.

Për CNN, presidenti Obama gjithashtu tha se modelet e votimit në Kongres ndikohen nga shqetësimet politike, duke argumentuar se edhe pse vota kundër këtij ligji është e vështirë, do të kishte qenë gjëja e duhur për t’u bërë.

Arabia Saudite ka lobuar fuqishëm kundër ligjit për Drejtësi Kundër Sponsorëve të Terrorizmit.

Zyrtarë të mbretërisë kanë paralajmëruar Kongresin ta tërheqë vendimin, teksa familjarë të viktimave të 11 shtatorit e kanë mirëpritur aprovimin e tij, duke e konsideruar si një triumf dhe një mënyrë për të gjetur më në fund, autorin e vërtetë të këtyre sulmeve.

Shpërndaje

Comments are closed.