Animi i liderëve partiak të Kosovës për zgjedhjet në SHBA, po shihet si dukuri problematike

 

Zgjedhjet për president të SHBA po afrohen. Deri më tani vetëm një parti politike në Kosovë ka marrë anë në favor të kandidatit demokrat për president Joe Biden.

“Që nga vitet e 90-ta, Joe Biden është një mbështetës i palëkundur i shqiptarëve në Ballkan. Ishte ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Millosheviqit; që bëri thirrje për ndërhyrje amerikane në Bosnjë, dhe më pas në Kosovë, që kërkoi ndjekjen penale të kriminelëve serbë të luftës; dhe që mbështeti pavarësinë dhe njohjen e Republikës së Kosovës”, kishte thënë Kurti, duke ftuar shqiptaro-amerikanët ta votojnë Bidenin.

Nga LDK thonë se për presidentin e SHBA-së do të vendosin qytetarët e atij vendi, prandaj e cilësojnë si të papranueshëm animin nga ndonjëri kandidatë.

“Është shumë e qartë se qytetarët amerikanë do të vendosin se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i tyre dhe ne konsiderojmë se çdo qëndrim ndryshe është skandaloz dhe i papranueshëm”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ismet Beqiri.

Edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka lënë të nënkuptohet se nuk do mban anën në zgjedhjet e SHBA-së, përcjell Telegrafi.

“Popullit të Kosovës nuk i takon që të mbajë anë në këtë proces [Zgjedhjet në SHBA] por duhet të respektojë vullnetin politik e procedurat demokratike të këtij vendi mik. Shteti i Kosovës do të jetë gjithmonë me Amerikën, e padyshim Shtetet e Bashkuara të Amerikës me popullin e saj, do të jenë krah nesh” kishte shkruar Veseli.

Sipas Emir Abrashit nga Demokracia Plus, përkrahja e ndonjërit prej kandidatëve në zgjedhjet e SHBA-së mund të konsiderohet si bixhoz.

“Në parim nuk është ndonjë problem pozicionimi me ndonjërin kandidatë në SHBA. Është një praktikë e njohur ndërkombëtare që partitë pozicionohen me partitë simotra të profilit të njëjtë…Problematike për mua mbetet pozicionimi i liderëve”, deklaroi Emir Abrashi.

Abrashi parasheh se në rast të rizgjedhjes së Trump, mund të ketë pasoja në raportet e Albin Kurtit me administratën amerikane.

Shpërndaje

Comments are closed.