Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e uron Krasniqin për medaljen e artë në Katar

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e ka uruar Distria Krasniqin për fitimin e medaljes së artë në Mastersin e xhudos në Doha të Katarit të hënën.

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në Mastersin e Dohas, pasi e mposhti Funa Tonakin në finale të hënën, duke e nisur vitin 2021 në mënyrë mbresëlënëse dhe duke mbetur në binar për ta siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Një ditë më pas, Ambasada amerikane në Prishtinë e zgjodhi rrjetin social Twitter për ta uruar kosovaren për triumfin e saj madhështor.

“Urime Distria Krasniqit të Kosovës, e cila e fitoi me meritë medaljen e artë në Mastersin e xhudos në Doha, Katar”, ka shkruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Xhudistja kosovare dhe numri një i botës Krasniqi e fitoi medaljes së artë në kategorinë deri në 48 kilogramë në Mastersin e Dohas.

Krasniqi bëri paraqitje mahnitëse kundër ish-kampiones së botës dhe njërës prej favoriteve për medaljen e artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat do të mbahen këtë verë.

Kosovarja i shënoi dy pikë wazzari, të cilat i mjaftuan për ta fituar luftën me japonezen dhe rrjedhimisht edhe medaljen e artë.

Numri një i botës në kategorinë deri në 48 kilogramë e pati një ditë të mrekullueshme në Katar, duke i fituar pa telashe të gjitha katër luftërat.

Pasi e kaloi rrethin e parë pa luftë, Krasniqi e mundi sllovenen Marusa Stanger me ippon në rrethin e dytë, ndërsa në çerekfinale fitoi ndaj portugezes Catarina Costa.

Në gjysmëfinale, ajo fitoi ndaj francezen Melanie Clement.

Krasniqi i fitoi edhe 1800 pikë olimpike me triumfin e saj në Doha, të cilat janë të nevojshme për ta siguruar pjesëmarrjen ne Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Shpërndaje