161 specialistë të rinj nënshkruajnë kontratë në ShSKUK

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se nga sot mbi 161 specialistë të lëmive të ndryshme mjekësore filluan nënshkrimin e kontratave të punës për të nisur punën në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe në njësitë e saj.

Në një shkrim në Facebook Zemaj tha se beson në punën dhe profesionalizimin e tyre.

“Sapo takova grupin e parë të tyre, të cilët pas shumë viteve të pritjes dhe anatenimit të padrejtë nënshkruan kontratat e punës. Me krenari e them se me punësimin e këtyre specialistëve të fushave të ndryshme mjekësore, asnjë mjek specialist në Republikën e Kosovës nuk është i papunë”, shtoi Zemaj.

“Unë besoj në punën dhe profesionalizmin e tyre, ashtu sikur do të besojnë edhe qytetarët e vendit tonë, të cilëve do t’u ofrojnë shërbime shëndetësore.”

Ai po ashtu tha se po e përmbushin një obligim madhor që kanë ndaj vendit.

“Si Qeveri Hoti, sot po e përmbushim edhe një obligim madhor që e kemi ndaj vendit dhe profesionistëve tanë shëndetësor, siç i kemi përmbushur edhe shumë të tjera përgjatë këtyre muajve, bashkë. Urime ju priftë e mbara. Shëndetësia jonë dhe Republika e Kosovës është me fat që ju ka!Urime ju priftë e mbara”, tha Zemaj.

Shpërndaje