Komiteti i Senatit të SHBA mbështet kërkesën e Malit të Zi për t'u anëtarësuar në NATO

Komiteti i Senatit të SHBA mbështet kërkesën e Malit të Zi për t'u anëtarësuar në NATO
12.01.2017 | 09:32
Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë i Senatit të SHBA, ka miratuar rezolutën që mbështet anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke e dërguar atë në Senat për votim të plotë.

Komiteti mbështeti ofertën e shtetit të vogël ballkanik për t'u bashkuar me aleancën ushtarake vitin e kaluar, por nuk kishte dalë për votim të plotë në Senat, ku një shumicë prej dy të tretave është e nevojshme për miratimin e anëtarëve të rinj të NATO-s, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kryetari i Komitetit, Bob Corker, tha më 11 janar se shpreson për "veprim të shpejtë" në Senat këtë vit.

Senatori, John McCain, e siguroi Kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markovic, në telefon që Senati i SHBA do të ratifikojë marrëveshjen e anëtarësimit së shpejti, tha shërbimi për media i Qeverisë malazeze.

Më 10 janar, Italia dhe Norvegjia ishin ndër 21 anëtaret fundit, nga 28 sa janë, të aleancës që tashmë e kanë mbështetur zyrtarisht marrëveshjen.

Anëtarësimi i Malit të Zi do të përfaqësojë zgjerimin e parë të aleancës pasi që Shqipëria dhe Kroacia u bashkuan në vitin 2009. Edhe pse vendi është një aleat i vjetër i Rusisë, marrëdhëniet me Moskën kanë qenë të rënduara kohët e fundit, duke pasur parasysh qasjen e qeverisë për integrim më të afërt me Perëndimin.

Mali i Zi u bashkua edhe me sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës në vitin 2014.

 

List of videos